Zuckerberg bëhet njeriu i tretë më i pasur në botë

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i rrjetit më të madh social “Facebook”, Mark Zuckerberg, tashmë zyrtarisht është njeriu i tretë më i pasur në botë, duke u renditur pas Bill Gates.

Zuckerberg i ka zënë vendin Warren Buffetit, i kompanisë “Berkshire Hathaway”, i njohur gjerësisht si investitor me portofol mjaft interesant si dhe një armik i teknologjisë kur bëhet fjalë për të investuar.

Sipas Indeksit të Miliarderëve të kompanisë “Bloomberg”, përcjell Telegrafi, kjo ngjitje në renditje vjen pasi aksionet e Facebookut patën rritje me 2.4 për qind dhe kjo është hera e parë në histori që të tre njerëzit më të pasur të botës e kanë bërë pasurinë e tyre në sektorin e teknologjisë.

Në vend të parë është Jeff Bezos, shefi i Amazonit, në vend të dytë Bill Gates, ish-themeluesi i Microsoftit dhe aktualisht në vend të tretë është Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook.

Aktualisht pasuria Zuckerbergut vlerësohet në 81.6 miliardë dollarë, ku e kaloi Buffettin, 87-vjeçar, me vetëm 373 milionë dollarë më shumë. /Telegrafi/