Vreshtari nga Rahoveci detyrohet të shes rrushin në Mal të Zi, shkak çmimi i ulët në vend

Ky vit për fermerin nga Rahoveci Zijajdin Metbala ishte shumë i suksesshëm sa i përket vjeljes së rrushit, pasi arriti që nga dy hektarë vreshta të vjelë mbi 35 mijë kilogramë rrush. Por, atij i doli një problem kur erdhi puna tek shitja e tij.

Çmimi prej 23 centësh për kilogram sa po ofrojnë kompanitë që merren me prodhimin e verës, sipas Metbalës është i pamjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet që ka bërë.

Ai thotë se çmimi i ulët e ka detyruar që rrushin ta shes në Mal të Zi, ku atje ka arritur ta shes për 26 cent.

“Na ka shkaktuar shumë probleme, jo pak po shumë probleme, prandaj na është dashur të ballafaqohemi edhe me çmimin e rrushit që të japim sado vetëm ta heqim ta largojmë prej vreshtave…Vetëm një matematikë e thjeshtë me e bë 23 cent, për 23 cent duhet 10 mijë kilogramë rrush duhet me dorëzuar për me i mbuluar shpenzimet e 1 hektari vresht. Do të thotë çka na mbetet neve as 5 mijë kilogram nuk na mbetet fitim. Vërtetë çmimi është tepër i ulët, në vend se me e rrit çmimin e rrushit, ata e kanë zbritur çmimin e rrushit, gjë që na kanë dëmtuar shumë. Prandaj, na është dashur me u ballafaquar, ta gjejmë alternativa të tjera dhe me i dorëzuar jo në Mal të Zi, jo Shqipëri diku tjetër”, thotë ai.

Ai ka dy lloje të varietetesh, të tryezës dhe të verës. E kujdesi që i ka kushtuar ka bërë që të ketë rrushin të kualitetit të lartë.

Metbala që me profesion është fizikant, tregon se kujdesi që i ka kushtuar vreshtave ka bërë që të mos preket nga breshëri, e as nga sëmundja e kërpudhave që shumë fermerë të tjerë ishin përballur me këtë sëmundje.

“Sivjet vreshtat i kam punuar ashtu siç duhet sipas rregullores, rregullisht i kam spërkatur duke filluar prej muajit prill, atëherë kur është dashur më së pari me i spërkat me preparate kimike më të thjeshta. Pastaj me ato më të përbëra, e zakonisht me ato sistematike vërtetë me preparate të cilat janë goxha të shtrenjta, por që vërtetë kanë dhënë edhe efekt në ruajtjen e kualitetit të rrushit. Përndryshe sivjet kanë qenë kushtet jo të favorshme klimatike, ka pasur të reshura të shpeshta, besa ka pasur edhe breshër. Fatmirësisht tek unë pak ka ra breshëri, përndryshe kemi kaluar shumë mirë sivjet, pasi që i kam trajtuar shpesh me preparate kimike të llojeve të ndryshme dhe të cilat më kanë kushtuar goxha shtrenjtë për arsye se ka pasur të reshura të shumta, lagështi e madhe ka qenë e ajrit dhe tokës”, thotë ai.

Metbala tregon për KosovaPress, ka treguar çmimet e preparateve që i ka përdorur për mbrojtjen e vreshtave, që sipas tij janë shumë të shtrenjta.

“Çmimet e preparateve varijojnë prej 15 euro deri në 20 euro për një kilogram, është dashur në një tomizerkë i themi traktorit që e spërkat vreshtin, prej 400 litrave është dashur 2 kilogram me e qit, në vend të 1 kilogrami është dashur 2 kilogram. Kush e ka stërpikur me një kilogram atëherë i janë prishur vreshtat. Është dashur më shpesh me e spërkatë dhe me dozë të dyfishtë”, potencon ai.

Ai ka treguar se këtë vit janë përballur edhe me një problem tjetër, e që sipas tij, telashe të shumta iu kanë nxjerrë zogjtë që shpesh herë i kanë sulmuar vreshtat.

“Kemi pasur problem jo me vjeljen e rrushit, por me ruajtjen e rrushit për arsye se këtu në këtë regjion ku e kam vreshtin unë është edhe strofulla e zogjve, të cilët na kanë bërë shumë dëme dhe nuk kemi pasur mundësi as si të mbrohemi nga ky lloj sulmi që na e kanë bërë ata. Ka pasur raste që brenda një kohe shumë të shkurtër e kanë fshi krejt rrushin e kanë ngrënë”, thotë ai për KosovaPress.

Fermeri Zijajdin Metbala thotë se gjatë këtij viti kanë gjetur mbështetje të madhe në Komunën e Rahovecit, ku tha se fermerët kanë marrë subvencione të ndryshme.