Toka e kontaminuar e Kosovës

Duke u ballafaquar me degradim të vazhdueshëm si rezultat i zhvillimeve demografike, të infrastrukturës, të mbetjeve industriale, të erozionit, të menaxhimit të mbeturinave, të përdorimit të plehrave dhe të pesticideve, sipas Ministrisë së Mjedisit mund të thuhet se toka është nën presion të vazhdueshëm.

Mjedisi i pastër po vazhdon të mbetet sfidë për Kosovën. Me sipërfaqe prej vetëm 10.887 kilometrash katrorë Kosova po ballafaqohet me ndotje të konsiderueshme të tokës. Nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) thonë se tokat e kontaminuara janë zakonisht në zonat industriale.

Por sipas ekspertëve të Mjedisit, mirë nuk qëndrojnë as tokat bujqësore. Kontaminimi i këtyre tokave sipas tyre vjen si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të pesticideve, qoftë në aspektin e sasisë ose të prejardhjes së tyre të dyshimtë. Në Kosovë nuk ka ndonjë hulumtim, i cili tregon saktësisht rreth gjendjes së tokave në tërësi. Megjithëkëtë, në periudhën 2013 – 2015 u realizua projekti “Studimi i ndotjes së tokës bujqësore” (SNTB), i cili ishte pjesë e Programit të IPA-s 2010 që mbështeti Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural (MBPZHR), shkruan tutje “Zëri”.

Por ky projekt ka financuar studimin mbi ndotjen e tokës bujqësore vetëm në 17 komuna, jo në të gjitha. Nga MMPH-ja thonë se duke u ballafaquar me degradim të vazhdueshëm si rezultat i zhvillimeve demografike, të infrastrukturës, të mbetjeve industriale, të erozionit, të menaxhimit të mbeturinave, të përdorimit të plehrave dhe të pesticideve mund të thuhet se toka është nën presion të vazhdueshëm.