Studimi: 100 për qind e shqiptarëve janë të prekur nga ndotja e ajrit

Shqipëria është në grupin e shteteve që ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit e ka 100 për qind.

Ndotja e ajrit është grumbullimi i substancave të rrezikshme në atmosferë të cilat vënë në rrezik jetën e njeriut dhe të gjallesave të tjera.

“Kemi një shtim të rasteve me probleme respiratore, pra me probleme të astmës te fëmijët, por nuk dua të përjashtoj rastet e grave me diagnoza kronike respiratore dhe pikërisht i atribuohen kësaj rritje të ndotjes atmosferike”, u shpreh Alkerta Ibranji, alergologe-imunologe klinike.

Por se nga se shkaktohet degradimi i ajrit na tregon ambientalisti Xhemal Mato.

“Ndotja e PM2.5, e cila është një grimcë shumë e vogël 2.5 mikron qëndron pezull në ajër dhe në çdo 2-3 sekonda ne marrim dhe e fusim në organizëm. Kjo është një ndotje që shkaktohet kryesisht nga pluhuri, transporti, mos fshirja e rrugëve si dhe nga grimcat që nxjerrin vetë makinat. Kjo është një gjendje emergjente e madhe është njëlloj sikur të dënosh qindra persona të sëmurën dhe të vdesin për shkak të ndotje”, shprehet ai.

Sipas raportit “State of global air 2019″, ndotja e ajrit ishte faktori i pestë që ndikonte në vdekshmërinë e vitit 2017

“Problemet respiratore shënojnë numrin 5 në botë si shkaktar të vdekshmërisë dhe kjo nuk është pak. Sa më parë të ketë ndërhyrje aq më shumë ky është një hedhje themeli në formim më të shëndetshëm në të ardhmen, sepse çfarë po ekspozohemi momentalisht kjo përkthehet në cenim të cilësisë së jetës dhe patjetër në sëmundje”, shprehet Ibranji