Shala i përgjigjet kërkesës së Serbisë e Bosnjës për diskutime rreth taksës 100 për qind

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i është përgjigjur kërkesës së Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat po kërkojnë konsultime bilaterale për ngritjen e taksës për produktet me origjinë nga këto shtete.

Serbia e Bosnja kanë kërkuar që të mbahet një takim në kuadër të CEFTA-s, për të diskutuar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

Në përgjigjen drejtuar këtyre shteteve, ministri Shala ua ka rikujtuar përfaqësuesve të Serbisë dhe Bosnjës, se “UNMIK-u nuk e ka marrë vendimin për masën tarifore, por ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës, i cili është i paprekshëm, i pacenueshëm dhe i mbrojtur me të gjitha mjetet që garanton Kushtetuta dhe fuqi”.

Në këtë drejtim, në letrën e cila mban firmën e ministrit Shala thuhet se kërkesa nga këto shtete është e pavlefshme dhe e papranueshme për Qeverinë e Kosovës.

Ministri Shala ia ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nuk do t’i përgjigjet asnjë kërkese për sa kohë që Serbia dhe Bosnja nuk i drejtohen Kosovës me emërtimin e saj kushtetues dhe sipas nenit 42 të marrëveshjes se CEFTA-s.

“Kosova do t’i përgjigjet vetëm kërkesave të CEFTA-s kur ato janë të bëra në harmoni me nenin 42 të CEFTA-s në harmoni me emërtimin kushtetues”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ministrit Shala.

Lexo edhe: