Rreth gjysmë milioni euro janë grumbulluar në fondin e përballjes me COVID-19

Mërgimtarët, por edhe qytetarët e Kosovës, po vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht në kohën kur po përballet me pandeminë e coronavirusit.

Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se deri tani në llogarinë e donacioneve për përballimin e pandemisë COVID -19 janë grumbulluar afër 500 mijë euro.

Sipas ministrit Bislimi, më së shumti mjete janë derdhur nga bashkatdhetarët në Zvicër dhe Gjermani.

Postimi i plotë i Bislimit:

“Përditësim i informatës për donacionet në llogarinë COVID 19:

Deri në këtë moment, në llogari janë derdhur 481.200 Euro. Donacione nga Zvicra janë 237.000 euro; nga Gjermania 123.000; nga Kosova 34.000 Euro, pastaj vijnë donacionet nga Suedia, Norvegjia, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë shumë të përgjithshme, një vlerë prej 19.500 eurosh në bazë të rregullave ekzistuese është dashur të kalojë në llogarinë e BQK-së, si tarifë për transakcion, por bordi i BQK-së ka vendosur që për transferet në llogarinë COVID 19, të aplikohet tarifa prej ZERO Euro. Një falenderim shumë i veçantë për menaxhmentin dhe bordin e BQK-së. Njëkohësisht meriton një falenderim të veçantë edhe z. Ahmet Ismajli, drejtor i Thesarit në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, i cili me shumë interesim i përcjell të gjitha lëvizjet në këtë llogari.

Edhe një herë, shumë faleminderit secilit prej jush për mbështetjen që po i jepni përpjekjeve të qeverisë për tu përballur me pandeminë COVID 19″, ka shkruar Bislimi. /Telegrafi/