Qeveria nis të paguajë Kastratin dhe Salillarin për koncesionin e ‘Rrugës së Kombit’

Qeveria i dha kompanive Kastrati dhe Salillari rreth 2 milionë euro për koncesionin e Rrugës së Kombit. Kjo është pagesa e parë e qeverisë për këtë koncesion dhe është justifikuar si pagesë për investime.

Open Data raportoi sot se koncesioni i Rrugës së Kombit përfitoi javën e shkuar pagesën e parë nga Ministria e Infrastrukturës. Ajo ishte rreth 1,97 milionë euro dhe u bë “sipas situatës së investimeve” të paraqitura me fatura në muajin tetor.

Koncesioni 30-vjeçar i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit iu dha kompanive Kastrati dhe Salillari në fund të vitit 2016-të për një kosto totale që parashikohet të jetë rreth 350 milionë euro.

 Sipas marrëveshjeve të nënshkruara me qeverinë, Kastrati dhe Salillari mbledhin dhe mbajnë të ardhurat nga tarifat e vendosura me traun në rrugë në këmbim të mirëmbajtjes dhe ndërtimit të disa akseve të lëna përgjysmë. Përveç kësaj, ato subvencionohen kur rruga nuk ka trafik të caktuar.

Rruga e Kombit është i vetmi aks që lidh Kosovën dhe shumë zona të verilindjes së Shqipërisë me kryeqytetin. Megjithatë ai u dha me një koncesion abuziv me kosto të larta financiare për shtetin dhe tarifa të larta për qytetarët që përdorin rrugën.

Si e morën koncesionin Kastrati dhe Salillari

Koncesioni i Rrugës së Kombit u fitua në gusht të vitit 2016 nga konsorciumi i Catalyst Viva Das General Constructing LLCSalillari shpk, Bee Thech, Vialop Ateve  dhe Kastrati.

Pak muaj më vonë, konsorciumi themeloi kompaninë Albanian Highway Concession (AHC) e cila zotërohej sipas aksioneve në përqindje:

  • 40% Catalyst Viva Das General Constructing LLC
  • 30% Salillari shpk
  • 10% Bee Thech
  • 10% Vialop Ateve
  • 10 % Kastrati

Në fillim të vitit 2017 kompanitë Kastrati dhe Salillari blenë 60 për qind të aksioneve që zotëroheshin nga kompanitë e huaja me çmimin:

  • 200 mijë euro – 40% Catalyst Viva Das General Constructing LLC
  • 235 mijë euro – 20 % Bee Thech dhe Vialop Ateve

Ndarja e aksioneve pas këtyre blerjeve të fillim vitit 2017 u bë 50/50. Vlen të theksohet se vlera është sa 0.1 për qind e shumës totale që AHC do të përfitonte nga koncesioni prej 350 milionë euro.