‘Për 20 vjet Kosova ka arritur të krijojë një sistem të aftë financiar’

Në 20-vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës u tha se gjatë këtyre dy dekadave është arritur progres i madh në sistemin financiar në Kosovë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se 20 vjet më parë BQK-ja filloi ndërtimin e një baze të sistemit financiar dhe hapi dyert për institucionet e huaja financiare.

Gjatë kësaj periudhe ai tha se BQK-ja ka shënuar progres të madh, ka ndërtuar sistem modern të pagesave dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, analiza të mirëfillta ekonomike, statistika cilësore dhe shërbime bankare për Qeverinë dhe qytetarët që është obligim ligjor.

Sipas guvernatorit, BQK-ja ka arritur krijojë një sistem financiar të aftë dhe se këtë bankë e presin sfida në të ardhmen që ballafaqohen edhe bankat tjera të rajonit, por që me reforma rregullative duhet të mundësohet zhvillimi i mëtutjeshëm i zhvillimit financiar.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, teksa ka lavdëruar punën e Bankës Qendrore të Kosovës, tha se ky institucion financiar ndër vite ka shënuar rezultate të mëdha që ka ndikuar në sistem modern të pagesave në sistem të mirëfilltë bankar.

Sipas tij, BQK-ja ka pasur rol në integrimin ekonomik sidomos me ato të Bashkimit Evropian është model për tërë rajonin.

Kreu i shtetit tha se sfidë për BQK-në mbetet integrimi i mëtutjeshëm i sistemit financiar me sistemet, tjera të vendeve të BE-së për t’u anëtarësuar në BE derisa si sfidë tjetër e ka renditur edhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, tha se BQK-ja ka arritur progres mbresëlënës për këto dy dekada dhe, sipas tij, sfidat e sistemit financiar në Kosovë mund të tejkalohen përmes reformave të duhura dhe duke e pasur të qartë agjendën politike sa i përket fokusit strategjik.