MZHE: ContourGlobal ka identifikuar financuesit e termocentralit “Kosova e Re”

Investitori për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, kompania amerikane ContourGlobal, ka identifikuar financuesit e këtij projekti tre muaj para se të mbyllet plani financiar.

Së paku, kështu thonë zyrtarë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik nga kjo ministri, thuhet se investitori ContourGlobal ndodhet në një fazë të avancuar të përmbylljes së paketës së financimit të projektit dhe brenda 3 mujorit të parë të vitit 2020 pritet të përmbyllet paketa e financimit.

“Tashmë janë identifikuar të gjithë financuesit dhe brenda 3 mujorit të parë të vitit 2020 pritet të përmbyllet paketa e financimit.”, kanë thënë nga Zyra për Informim në MZHE.

MZHE gjithshtu ka bërë të ditur se investitori është duke i kryer punët sipas planit, ndërsa shtetit të Kosovës i mbetet ta kalojë në Kuvend garancionin.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjeve komerciale për ndërtimin e TC Kosova e Re, ka marrë për obligim që të garantojë performancën e ndërmarrjeve të saja publike, mbi të cilat ka kontroll të plotë. Pra, obligimi i Republikës së Kosovës është vetëm garancioni i obligimeve të ndërmarrjeve publike dhe jo kredi marrja e investitorit ContourGlobal”.

Në MZHE thonë se ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike është me rëndësi jetike për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Sipas tyre, termocentrali Kosova e Re do të ketë ndikim shumëdimensional në rritjen ekonomike të vendit dhe krijimin e parakushteve për investime të huaja direkte.

“Për me tepër, do të ndërpres varshmërinë nga importet e energjisë [qe nga paslufta Kosova nga importuar energji elektrike në vlerë monetare rreth 700 milion euro], e po ashtu do të ndalojë humbjet e biznesit të cilat përllogariten rreth 330 milion euro si pasojë e furnizimit të paqëndrueshëm”, vlerëson MZHE.

“Implementimi i suksesshëm i projektit TC Kosova e Re do t’i sigurojë shtetit të Kosovës furnizim të qëndrueshëm dhe më çmimin me të lirë të mundshëm nga të gjitha opsionet tjera. Cilido opsion tjetër do të ketë kosto më të lartë për qytetarët e po ashtu nuk do të garantojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”.