Ministri Reçica priti në takim një delegacion nga Shteti i Iowa-s

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, priti sot në takim një delegacion nga Shteti i Iowa-s, SHBA, kryesuar nga Presidenti i kolegjit DMACC (Des Moines Area Community College), Rob Denson.

Ministri Reçica shprehi falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, në të gjitha fazat e saj të shtetndërtimit dhe zhvillimit.
Reçica e njoftoi Denson rreth problemeve që Kosova po përballet sa i përket papunësisë si dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar, sipas nevojave të tregut të punës.

Ai theksoi se aftësimi profesional dhe orientimi i të rinjve në karrierë janë të domosdoshme dhe çelës i zbutjes së papunësisë në vend.
Në anën tjetër, Denson ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-ve për të ndihmuar Kosovën në çështjet për të cilat u diskutua rreth punësimit dhe aftësimit profesional.

Pas takimit, ministri Reçica dhe delegacioni nga Iowa vizituan Qendrën e Aftësimit Profesional në Prishtinë për të parë nga afër punën që bëhet në shërbim të punëkërkuesve, të cilët zgjedhin këtë qendër për të ndjekur trajnimet profesionale në profilet që ofrohen aty.