Kryqi i Kuq i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen e donatorëve gjatë pandemisë COVID-19

Që nga fillimi i pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, Kryqi i Kuq i Kosovës ka përqendruar të gjitha aktivitetet për të ndihmuar komunitetet në nevojë në tërë Kosovën. Për shkak se mirëqenia e të gjithëve është prioriteti kryesor, Kryqi i Kuq i Kosovës vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me palët e interesuara për të ofruar shërbimet e tyre në mënyrë të sigurt dhe të koordinojë aktivitetet me partnerë në mënyrë që ndihma të arrijë tek të gjithë ata që kanë nevojë.

“Çdo ditë, njerëzit kërkojnë mbështetjen nga Kryqi i Kuq i Kosovës për t’i ndihmuar në zbutjen e vështirësive të tyre. Për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë gjatë kësaj krize të shëndetit publik, Kryqi i Kuq i Kosovës me mbështetjen e partnerëve të ndryshëm ka bërë përkrahjen e familjeve në nevojë me pako ushqimore, higjienike, dhe jo vetëm familjet në nevojë, por edhe institucionet shëndetësore me tenda, qendrat e azil kërkuesve, karantinat e improvizuara, komunitetet dhe grupet e tjera në nevojë.

Kryqi i Kuq i Kosovës është mirënjohës për të gjithë stafin dhe mbi 300 vullnetarë që punojnë pa u lodhur për t’u ndihmuar atyre që u shërbejmë. Gjithashtu Falënderim të veçantë për të gjithë mbështetësit, partnerët dhe donatorët të cilët me kontributin e tyre e kanë lehtësuar përmbushjen e misionit të Kryqit të Kuq të Kosovës. Një nga këta donatorë është Coca-Cola Foundation të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur që të përkrahen 830 familje me 4,150 anëtar, me pako ushqimore dhe higjienike”- deklaroi Agron Humolli, Sekretar Gjeneral i Kryqit të Kuq të Kosovës.

Coca-Cola System ka qenë një nga përkrahësit dhe partnerët e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë kësaj krize dhe ka ofruar mbështetje me dhurimin e produkteve për vullnetarët e saj dhe gjithashtu donacion financiar që do të përdoret për të ndihmuar përpjekjet e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë pandemisë Covid-19.

“Coca-Cola System po operon në 28 tregje dhe kudo që ndodhemi ne po mundohemi të jemi një partner i vlefshëm për komunitetin ku jetojmë dhe punojmë. Coca-Cola System është këtu për t’a mbështetur komunitetin e Kosovës, veçanërisht stafin mjekësor dhe vullnetarët, të cilët janë në linjat e para të luftës me Covid-19. Duke dhuruar produktet tona për ta, ne jemi duke u përpjekur t’i bëjmë ditët e tyre pak më të lehta dhe deri më tani kemi dhuruar 43,000l të produkteve tona për punëtorët mjekësorë, vullnetarët dhe qytetarët në nevojë.
Për më tepër, ne jemi duke ndihmuar përpjekjet e Kryqit të Kuq të Kosovës përmes një donacioni financiar prej 50,000 USD, i cili do të përdoret për të ndihmuar komunitetet dhe familjet në nevojë nëpër qytete dhe fshatra rreth Kosovës me pako ushqimore dhe higjienike” deklaroi Ilir Cakolli, përfaqësues i Coca-Cola System.