Kosova me 289 lokale bastesh e me 1.463 automate bixhozi

Qeverisë së Ramush Haradinajt nuk i duket i mjaftueshëm numri prej më shumë se 400 lokalesh të lojërave të fatit të shpërndara gjithandej vendit, prandaj nëpërmjet ndryshimeve ligjore do që të krijojë lehtësira me qëllim që ta rrisë numrin e këtyre bizneseve.

Burime të Kohës Ditore kanë thënë se synohet trefishimi i bizneseve të bixhozit.

“Nëse realizohen këto synime Kosova do të kthehet në pikë reference në rajon për lojërat e fatit. Ndryshimet ligjore pritet të kenë efekt në licencimin e rreth 110 subjekteve që për veprimtari kanë këto lojëra. Secila prej tyre mund të hapë numër të pakufizuar pikash në tërë Kosovën”, ka thënë një burim i gazetës, me qasje në politikën e re rreth këtyre veprimtarive biznesore. “Dy kategori të reja të lojërave të fatit, që do t’u lejohet nisja e veprimtarisë, janë kazinotë dhe lojërat online”.

Gazeta ka publikuar një ditë më parë përmbajtjen e një Koncept-dokumenti të miratuar në Qeveri, e në të cilin ekzekutivi e ka vajtuar këtë industri që varfëron qytetarët. Aty ka folur për shumë barriera që u janë vënë lojërave të fatit dhe ka dhënë zotimin se të gjitha do t’i evitojë nëpërmjet disa ndryshimeve ligjore. Parashikimi i bërë thotë se, me këtë, jo veç se do të përfitojnë këto biznese bixhozi, por vendi do ta rrisë mirëqenien e qytetarëve e do të krijojë shumë vende të reja pune, sikurse edhe do të godasë shumë dukuri negative, përfshirë kriminalitetin e vetëvrasjet.