Kërkohet raportim i ministrit Lluka për gjendjen në Telekom

Komisioni për Zhvillim Ekonomik me shumicë votash miratoi raportin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili është shqyrtuar në mbledhjen e kaluar.

Në takimin e sotëm të këtij komisioni, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ngriti çështjen e mos lirimit të pronave të uzurpuara në veri dhe mos realizimin e qirasë nga AKP-ja nga shumë prona.

“Si është e mundur që mos të lirohen asetet e uzurpuara në veri? Në anën tjetër, AKP nuk po arrin të inkasojë qiranë nga ndërmarrjet në brendi”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa gjatë rishikimit të planit vjetor të punës së Komisionit, Konjufca kërkoi që Komisioni duhet të japë kontributin për Telekomin e Kosovës, i cili sipas tij, është në gjendje të rëndë.

Memli Krasniqi nga PDK-ja ka shfaqur idenë që një prej mbledhjeve të ardhshme të ftohet për raportim ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka lidhur me Postën dhe Telekomin, përderisa anëtarja e komisionit nga radhët e Alternativës Mimoza Kusari-Lila tha se mungesa e qasjes së AKP-së në pronat në veri është rrjedhojë e çështjes politike. /KP /Telegrafi/