KEDS-i s’po i kthen në punë 80 të larguarit, pavarësisht vendimeve gjyqësore

Kompania për Furnizim dhe Distribuim të Energjisë Elektrike – KEDS, rrezikon të dënohet deri në 100 mijë euro nga gjykata.

Një dënim i tillë pritet të vijë pasi kjo kompani vazhdon ta sfidojë sistemin e drejtësisë, që u dha të drejtën e kthimit në punë 80 ish-punëtorëve, raporton KTV.

Kjo kompani nuk ka marrë për bazë urdhrin e Gjykatës Themelore të nxjerrë më 20 nëntor, i cili, brenda tri ditësh, kthente punëtorët e larguar.

Ky urdhër i nxjerrë erdhi pak ditë pasi Gjykata e Apelit ia hodhi poshtë ankesën KEDS-it, të bërë për vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, të nxjerrë në dobi të punëtorëve, më 8 qershor.

Në urdhrin e gjykatës thuhet se nëse nuk respektohet vendimi, atëherë aplikohen dispozitat e nenit 15 dhe 16 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Këto dy nene parashohin gjoba për personat fizikë, nga 100 deri 1 mijë euro dhe për ata juridikë nga 1 mijë deri 10 mijë euro.

Avokati i ish-punëtorëve ka treguar se, për shkak të mosekzekutimit të vendimit, i është drejtuar sërish gjykatës.

Lidhur me këtë, menaxhmenti i KEDS nuk ka pranuar të flasë, duke thënë se rasti është në procedurë gjyqësore.

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve ka treguar se menaxhmenti i KEDS-it u ka thënë se vendimi i tyre do t’u kumtohet më 11 dhjetor.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, ka thënë se edhe në kohën sa lënda ka qenë në Inspektorat, kishin gjobitur KEDS-in dhe kishin lëshuar vendim për kthimin e tyre në punë.

Shkëputja e kontratave nga KEDS-i kishte nisur që nga viti 2015, ani pse disa punëtorë kishin kontrata të përhershme.

Për këtë, disa herë ata kishin protestuar para zyrave të kompanisë si dhe qeverisë, por askush nuk u kishte dalë në ndihmë.