‘Kasaphanja’ e shkarkimeve në Telekom vazhdon, pakohen menaxherët

Edhe gjatë ditës së sotme menaxhmeti i Telekomit të Kosovës pritet të vazhdojë me shkarkime të reja. Ky menaxhment ka vendosur që për shkak të përformancës së dobët të shkarkojë edhe dhjetë menaxherë regjional që kryesisht vijnë nga departamenti i shitjes.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, i cili gjatë një intervistë ka paralajmëruar shkarkime të reja.

Si shkaktar të këtyre shkarkimeve, Istrefi po e konsideron përformancën e dobët të këtyre menaxherëve.

“Duke e parë përformancën e tyre kam qenë jashtëzakonisht i detyrueshëm që të marrë vendime të marrë vendime të nivelit të lartë të menaxhimit që të bëjë ndryshe, rifreskime dhe ne të fillojmë me njerëz të ri të japin kontributin e tyre që të mund sado pak të krijojmë një qëndrueshmëri financiare. Ka pasur diku 6 shkarkime dje të nivelit të lartë, sot pritet të ketë edhe shkarkime të tjera të nivelit të menaxherëve regjional, të disa menaxherëve të tjerë në disa drejtori tjera, kështu që do të vazhdohet çdo ditë të identifikohet përformanca e secilit që kanë pozita që të shikohet përformanca e tyre dhe të bazë të përformancës të jepet edhe vlerësimi edhe gradimi, edhe stimulimi por edhe të ndëshkohen ata të cilët nuk e kryejnë punën si duhet…Sot priten shkarkime tjera do jenë diku nja 10”, tha ai.

Derisa thotë se do të jetë i pakompromisë ndaj atyre që tregojnë përformancë të dobët, i pari i Telekomit paralajmëroi çdo ditë shkarkime të tjera.

“Çdo ditë do priten shkarkime të reja, çdo ditë nuk do kem kompromisë ndaj asnjërit brenda Telekomit të Kosovës, i cili ka përformancë të dobët, përformnca e tyre e punës ndikon direkt në zhvillimin dhe avancimin e Telekomit të Kosovës” , u shpreh kreu i Telekomit.

Sipas tij, ata që do të shkarkohen, do t’i takojnë kryesisht departamentit të shitjes, pasi është vërejtur një papërgjegjësi ndaj kërkesave të konsumatorëve.

“Kryesisht departamenti i shitjes e ka thuajse rolin kyç pasi ne lidhim kontrata me biznese, me institucione, me konsumatorë dhe secili prej tyre kategori nga një menaxher kontrate dhe e shohim një moskomunikim në mes të sekretariatit me krijimin e këtyre kontratave. Dhe ka qenë një neglizhencë jashtëzakonisht e madhe ndaj stafit të brendshëm dhe nuk do kem kompromisë ndaj këtyre personave që janë të papërgjegjshëm në raport me trajtimin e kërkesave të konsumatorëve”, tha ai.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi teksa ka folur për shkarkimet e djeshme brenda kësaj korporate publike, tha se janë bërë 6 shkarkime.

Istrefi për lajmi.net dje ka dhënë sqarime lidhur me shkarkimin e Demir Limaj, drejtor i shitjes në Telekomin e Kosovë.

Istrefi ka thënë se Drejtori i Departamentit të shitjes Demir Limaj nuk është shkarkuar, mirëpo janë duke diskutuar që ta gjejnë një zëvendësim për të.

“Jemi në përfundim të procesit, nuk kisha dashtë më u leshu me emra të përveçëm, nuk është vetëm shitja por ka edhe menaxherë regjional, ka edhe menaxherë të nivelit të lartë që janë afër zyrës së kryeshefit. Jam i interesuar që të rikthehet një aktivitet i punës dhe jo me ra në gjumë. Një pjesë bukur e madhe e menaxhmentit të shitjes janë shkarkuar, janë emëruar disa të rinj, kanë marr obligim dhe përgjegjësi që të ngjallet shitja dhe aktivitete e punës në sektorin e shitjes”, ka thënë Istrefi.

Siç ka thënë Istrefi, Limaj është i angazhuar edhe si profesor në Universitetin e Prizrenit dhe sipas ligjit është konflikt interesi që t’i mbajë dy poste.

“Demiri e ka kryer një punë jashtëzakonisht të madhe e ka kryer punën e tij zakonisht mirë, nuk është shkarkuar. Ai është i angazhuar si profesor në Universitetin e Prizrenit, dhe sipas ligjit është një konflikt interesi me a mbajt edhe pozitën e drejtorit edhe atë që e ka. Mirëpo shkarkim nuk ka, jemi duke diskutuar me Drejtorin e Shitjes që ta gjejmë një zëvendësues që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për të vazhduar tutje me aktivitetet e përditshme të Telekomit të Kosovës, mirëpo nuk është I shkarkuar”, ka thënë Istrefi.