Guvernatori Mehmeti takoi përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti priti sot në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në kuadër të takimeve të rregullta që drejtuesit e tri organizatave kanë pasur prej shpërthimit të pandemisë COVID19.

Gjatë takimit u diskutua për parametrat aktualë ekonomikë dhe financiarë, ndërsa u theksua shqetësimi i përbashkët që aplikimi i masave të reja për kufizimin e aktiviteteve ekonomike do të kishte në operacionet e ndërmarrjeve, por edhe në kërcënimet për stabilitetin e sektorit financiar.

Duke e konsideruar me prioritet ruajtjen e shëndetit publik, Guvernatori Mehmeti si dhe drejtuesit e të dyja odave ekonomike Rukiqi e Zeka, nënvizuan edhe rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të ndërmarrjeve private, të cilat bartin barrën e punësimit dhe rritjes ekonomike në vend.

Prandaj që të tre bashkëfolësit shprehën besimin se duhet të gjendet balanci ndërmjet lejimit të operimit të papenguar të ndërmarrjeve, por edhe mbikëqyrjes më të rreptë të zbatimit të masave që synojnë parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID19, tashmë kur në tërë vendin ka përkeqësim të situatës epidemiologjike.