Frika më e madhe e Rezervës Federale po bëhet realitet

Rezerva Federale po përballet me presion të shtuar për të ulur edhe më tepër normat e interesit, qoftë nga investitorët ashtu edhe nga presidenti Donald Trump. Por rritja e fundit e çmimeve të naftës, në fillim të këtij muaji, pas sulmit mbi rezervat e naftës në Arabinë Saudite, megjithëse në nivele të kufizuara, ka shtuar së tepërmi pikëpyetjet se inflacioni mund të jetë duke marrë formë.

Një kombinim toksik i një ekonomie të ngadalësuar me rritjen e çmimeve mund ta vështirësojnë shumë punën e kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell dhe mund të bëjë që masat e deritanishme të mos rezultojnë të efektshme. Si rezultat, bankierët qendrorë do të duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje të dhënave ekonomike përpara se të bëjnë ndonjë lëvizje të mëtejshme për të ulur normat, përcjell Telegrafi.

“Rezerva federale është aktualisht si një kontrabandist i mbërthyer në një top fluturues, që nuk di se ku do shkojë”, tha Matt Forester, zyrtari kryesor i investimeve të BNY Mellon’s Lockwood Advisors.

Ai vuri në dukje se çmimet më të larta të naftës janë një lajm i padëshiruar, për shkak të shqetësimeve në lidhje me dobësimin e ekonomive të Kinës dhe Evropës.

“Shqetësimi më i madh tani është se çdo rritje e çmimit të naftës do të ishte një goditje stagflacioniste me pasoja të rënda”, vuri në dukje ai.

Forester shtoi se nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk arrijnë një rezolutë mbi tregtinë, por përkundrazi fillojnë të aplikojnë më shumë tarifa këtë vit, kjo mund të çojë në çmime më të larta për shumë mallra konsumi. Së bashku me një rritje të zgjatur të çmimeve të naftës, kjo mund të dëmtojë ekonominë e SHBA-së.

Pritshmëritë pozitive se Uashingtoni dhe Pekini do të arrijnë një marrëveshje tregtare kanë ndihmuar në ecurinë e mirë të aksioneve në bursë kohët e fundit. Për më tepër, edhe çmimet e naftës janë tërhequr pak nga shpresat për një armëpushim midis Arabisë Saudite dhe Jemenit. Por Trump ka qenë ende i ashpër në qasjen e tij ndaj Kinës. Kjo është arsyeja pse disa ekspertë ende nuk e përjashtojnë stagflacionin si një kërcënim të madh gati për të goditur tregjet.