Fillojnë protestat në sektorin privat, Azemi: Mos të nënshkruhen kontrata nën pagën 350 euro

Punëtorët teknik të Komunës së Prishtinës, ata të rektoratit e të qendrës studentore, nga nesër do të fillojnë me protesta. Ndërkaq, me këtë rast, nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat, u tha se nuk duhet të pranohet nënshkrimi i kontratës nën 350 euro pagë. 

Mos të nënshkruhen kontratat nën pagën 350 euro është thirrja e kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai tha se nga nesër, do të fillojnë protestat në kompani të ndryshme private.

“Për nesër dhe pasnesër [martë, mërkurë] kemi parapa një protestë që do të mbahet me një mijë punëtorë në vendet e tyre të punës. Për dytë rresht do të shprehim pakënaqësitë me pagat që i kemi. Nëse pas dy ditësh nuk kemi lëvizje pozitive, atëherë do të ulemi dhe do të vendosim për masa më radikale…Për momentin jemi fokusuar te punëtorët e Komunë së Prishtinës, punëtorët e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Qendrës Studentore që tashmë janë në tenderim e sipër. Ne u kemi bërë me dije që të mos nënshkruajnë tenderë nën pagën 350 euro. Të jenë të vetëdijshëm se deri më tani kanë kaluar si kanë kaluar, tash nën këtë pagë nuk kalojnë”, tha Jusuf Azemi.

Azemi  thotë mbi 10 kompani kanë hasur në mirëkuptimin e pakënaqësive të punëtorëve dhe se nuk kanë bërë presion mbi punëtoret e tyre, pjesëmarrës në protestë.

“Është hera e parë që pronarët e kompanive në një far forme na kanë kuptuar lidhur me kërkesat tona. Fatbardhësisht deri më tani janë rreth dhjetë kompani që nuk e kanë bërë as presionin më të vogël te punëtorët lidhur me organizimin e protestave”, tha ndër të tjera Jusuf Azemi.

Punëtorët e këtij sektori kishin protestuar edhe më parë, duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe rritje të pagës.