Dogana e Kosovës rrit dukshëm të hyrat

Dogana e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se brenda pesë muajve të parë të këtij viti, ka grumbulluar mbi 400 milionë euro.

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë theksuar se që nga themelimi i këtij institucioni e “deri më tash, asnjëherë nuk është arritur të kalohen 400 milionë euro në pjesën e parë të vitit, respektivisht në pesë mujorin e parë”.

“Dogana ka arritur që deri tani të grumbullojë 412 milion euro e që në krahasim me periudhën e vitit të kaluar por edhe disa viteve paraprake tregon rritje të theksuar. Në vitin e kaluar në këtë periudhë kishim të hyra në lartësi prej 383 milionë euro, derisa tani në këtë vit të hyrat kanë arritur të jenë më të larta për rreth 30 milionë euro (412 milionë) apo 7.6 për qind më shumë”, është thënë në komunikatë.

Dogana e Kosovës është institucioni kryesor që mbledh të hyrat për arkën e shtetit.