Buxheti i Komunës së Prishtinës prej 91 milionë euro

Kryetari Shpend Ahmeti në konferencë për media prezantoi projektet që janë pjesë e buxhetit për vitin 2020 që u miratua në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Sipas njoftimit, është hera e parë që nga viti 2014 që buxheti i Komunës së Prishtinës të miratohet unanimisht, me asnjë vote kundër dhe me përkrahje nga gjitha subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Këtë vit, Prishtina për herë të parë ka një buxhet prej 91 milionë eurove, që është rezultat i kalimit të Ligjit për Kryeqytetin dhe është buxhet që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në pjesën urbane dhe rurale të Kryeqytetit.

Kjo në të njëjtën kohë e bën Komunën e Prishtinës një prej organizatave më të mëdha buxhetore dhe mundëson realizimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore të planifikuara.

Rruga “Isa Kastrati” që lidh Prishtinën me Mati 1 do të rindërtohet në tërësi.

Projekti i tunelit në përfundim të rrugës “Agim Ramadani” do të mundësojë vazhdimin e sheshit “Ibrahim Rugova” dhe të bëjë lidhjen me pjesën e vjetër të qytetit, duke e zgjeruar pjesën pedonale të qytetit.

Në atë pjesë do të realizohet edhe projekti i tregut të gjelbër dhe restaurimi i fasadave të shtëpive dhe objekteve, pjesë e trashëgimisë kulturore e që do të ndihmojë revitalizimin dhe integrimin e kësaj pjese të qytetit.

Në fund të vjeshtës, fillon ndërtimi i parkingut nëntokësor me 700 vend-parkime, dhe me këtë Bulevardi “Xhorxh Bush” do të mbyllet për trafik, përveç një korsie për autobusë, siç e parasheh Plani i Qëndrueshëm i Mobilitetit.

Me këto dy projekte, zona e pedonale do të kufizohet me dy objekte të kultit në të dy anët, Katedralen “Nëna Terezë” në njërën anë dhe Xhaminë e Çarshisë në anën tjetër, duke përçuar edhe porosinë e tolerancës dhe harmoninë ndërfetare që e kemi si popull.

Buxheti parashesh edhe investimin në Pallatin e Rinisë për tri institucione të rëndësishme për rininë e Kryeqytetit. Shkolla e muzikës “Prenk Jakova”, “Bonevet” dhe projekti i përbashkët me Fondacionin “Sunny Hill” do të funksionojnë në aneksin e Pallatit, hapësirat ku ka qenë Shkolla Amerikane.

Në buxhet janë të ndara 1.5 milionë euro për sallën koncertale në Prishtinë dhe për këtë projekt janë duke u zhvilluar konsultimet e fundit me Komisionin Evropian dhe komunitetin e arkitektëve dhe artistëve. Konkursi për dizajnimin e sallës me 1000 ulëse do të shpallet në fund të muajit tetor.

1.5 milionë euro janë të ndara edhe për ndërtimin e sallës sportive me 3000 ulëse për sporte me dorë dhe sporte marciale, që do të mundësojë mbajtjen e garave kombëtare e ndërkombëtare.

Shkolla “7 Shtatori” do të renovohet në tërësi me ndihmën e Qeverisë së Luksenburgut dhe aty do të zhvendoset shkolla “Gjin Gazulli”, ndërsa 4 shkolla të tjera do të ndërtohen përmes projektit me Bankën Botërore, në lagjet Sofali, Veternik, Kodra e Trimave dhe Mati. Me këtë projekt do të plotësohet infrastruktura dhe përmbyllet cikli i rrjetit të objekteve shkollore që I mbulon të gjitha lagjet e Prishtinës.

Investimi në çerdhe është po aq i rëndësishëm, pranda është para përfundimit projekti i çerdhes në Kalabri. Vitin e ardhshëm prioritet është çerdhja në Kolovicë dhe çerdhja në Dardani. Me këtë e përmbushet edhe zotimi se në çdo lagje do të ketë nga një çerdhe publike.

Thertorja e Prishtinës është po ashtu një projekt I ri I planifikuar për vitin e ardhshëm e që do të zgjedhë përfundimisht problemin e therjes së pakontrolluar të kafshëve, që nuk i përmbushin kushtet higjieno-sanitare. Me një buxhet prej 500 mijë euro do të ndërtohet një objekt i thertores sipas standardeve dhe që do të i plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme të parapara për ruajtjen e shëndetit publik.

Unaza e Qytetit është mbase projekti më i madh infrastrukturor me një kosto prej mbi 100 milionë euro dhe për këtë është siguruar financimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Momentalisht në procedura tenderuese është konsulenca q cila deri në qershor 2020 do të e përgatisë dizajnin përfundimtar të kësaj unaze, në mënyrë që në nëntor 2020 të fillojnë procedurat për ndërtimin e unazës 27 kilometra të gjatë. Ndërtimi i kësaj unaze do të shkarkojë trafikun në qytet duke mundësuar që të shfrytëzohet rruga transitore, për të gjithë ata që nuk e kanë të nevojshme hyrjen në qytet.

Duke marrë parasysh se buxheti prej 91 milionë euro është rezultat I Ligjit të për Prishtinën, falënderojmë çdo deputet të Kuvendit të Kosovës që e ka votuar, por edhe iniciativën e Qeverisë së fundit për ta kaluar këtë ligj. Buxheti i vitit 2020 është buxhet infrastrukturor me shumë projekte për pjesën urbane e rurale të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e komunës.