Bujqësia, në Shqipëri, kryeson me 37,4% të totalit të punësimit

Bujqësia në Shqipëri kryeson me 37,4% të totalit të punësimit. Ofrimi i lehtësive fiskale dhe mbështetja me financime të drejtë për drejta nga buxheti i shtetit apo me grante nga projektet e ndryshme ndërkombëtare, kanë rikthyer vëmendjen dhe interesin jo vetëm të banorëve në zonat rurale, por edhe të sipërmarrësve, të rikthehen për të investuar dhe punuar në sektorin e bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur shembuj konkretë të shumë emigrantëve që janë rikthyer familjarisht në vendlindje, për të punuar në tokat e tyre bujqësore. Duke sjell edhe eksperiencën e huaj në vendet ku kanë punuar, ata kanë arritur të ndërtojnë sot modele suksesi në biznesin bujqësore, ku prodhimi konkuron në tregjet e huaja dhe zgjerohen çdo ditë vendet e reja të punës.

Sipas ekspertëve të bujqësisë, nxitja për rivitalizimin e bujqësisë, po rikthen në zonat rurale edhe një pjesë të konsiderueshme të migracionit të brendshëm.

Sipas të dhënave nga instituti i statistikave, punësimi në bujqësi dominon totalin e të punësuarve në 9 qarqet e vendit.

Në qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Elbasanit punësimi në bujqësi zë mbi 80% të totalit në këto qarqe, me respektivisht, 86,1%, 84,4% dhe 83,5%.

Gjithashtu përqindje të larta të punësimit në bujqësi ka edhe Fieri me 76,2% të totalit, Korça me 74,4%, Berati me 73,6% të totalit, Lezha me 65 %, Gjirokastra me 63,4 dhe Shkodra me 62,9 % të totali të punësimit.

Në Tiranë punësimi dominohet nga sektori privat, pasi të punësuarit në bujqësi zënë 6,5% të totalit, e më pas në Durrës me vetëm 25% dhe në Vlorë me 30,6% të totalit.