Bizneset kosovare – të përgjegjshme për shoqërinë dhe komunitetin e tyre

Edhe këtë vit, Rrjeti CSR Kosova, në bashkëpunim me zyrën e Koordinatores për Zhvillim të OKB-së në Kosovë, organizon Gala Mbrëmjen Vjetore të CSR & Ceremoninë e Çmimeve për kontributin pozitiv në shoqërinë tonë. Kjo ngjarje ka qëllim fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve të interesit për Përgjegjësi ndaj Shoqërisë, dukshmërisë më të lartë të CSR-it cilësor, dhe ngritjen e vetëdijes për ndikimin pozitiv që bizneset mund të kenë në mbarë shoqërinë tonë.

Në kuadër të fjalimeve hyrëse, Linda Tahiri, drejtore ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova theksoi kontributin e vazhdueshëm të rrjetit, duke potencuar ndikimin pozitiv në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nëpërmjet promovimit të konceptit, ideve dhe veprimeve konkrete që mundësojnë rritjen e ndikimit të CSR-it në shoqërinë kosovare.

Po ashtu, ndër të tjerash, Tahiri shtoi rolin e mëtutjeshëm të Rrjetit, i cili shërben, po ashtu, si platformë lidhëse në mes të kompanive dhe organizatave të përgjegjshme ndaj shoqërisë në Kosovë, për një shoqëri më funksionale dhe gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim, ithtarë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencoi rëndësinë e sektorit privat, si një katalizator për ndryshime përmbajtjesore pozitive në nivelin global, duke përmendur kontributin shoqëror për një jetë më të shëndetshme në vendet e punës, tregjet, zinxhirët e furnizimit dhe shoqërinë, të cilat rrjedhimisht kontribuojnë në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm – OZhQ-të, në kuadrin e Agjendës ambicioze 2030.

Gjithashtu, Richardson, shtoi se përgjegjësia sociale e kompanive do të kontribuonte jo vetëm në një shoqëri më gjithëpërfshirëse, por po ashtu, do të rriste qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë, shëndetin, mirëqenien dhe prosperitetin e fëmijëve, grave, dhe të tjerëve që vazhdimisht konsumojnë shërbime dhe produkte të sektorit privat.

Kompania “KIVO LLC” mori shpërblimin kryesor për kontributin e dhënë përgjatë vitit 2019, të cilin e pranoi drejtori i kësaj kompanie, Visar Ramajli. Kompania në fjalë u vlerësua më së miri nga paneli i jashtëm vlerësues, i përbërë nga përfaqësues të OJQ-ve, zyrës së OKB në Kosovë, dhe organizatave shtetërore, duke u bazuar në kritere të ndryshme, siç janë respektimi dhe aplikimi i 10 parimeve të ‘UN Global Compact’, kontributi i kompanive në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Agjendës 2030 të OKB-së, shpirti inovativ dhe mobilizimi i palëve të interesit, si dhe vizioni i aktiviteteve të tyre për të ardhmen.

Kompania fituese e konsideron CSR si aktivitet kyç të çdo kompanie, dhe percepton Rrjetin CSR Kosova si mundësi për të bashkërenditur aktivitetet e saja në fushat prioritare me kompanitë tjera, duke rritur ndikimin pozitiv në shoqërinë tonë.

Përveç shpërblimit kryesor, përgjatë kësaj mbrëmje, u vlerësua edhe kontributi shoqëror individual i z. Robert Wright, duke u shpërblyer me çmimin e veçantë ‘CSR Appreciation Award’, Drejtor Ekzekutiv në Bankën Raiffeisen, në Kosovë, nga Bordi i Drejtorëve aktual të Rrjetit.

Wright, nga Banka Raiffeisen në Kosovë, e vlerësoi fuqishëm shpërblimin e dhënë, duke potencuar se përgjegjësia shoqërore koorporative duhet të integrohet vazhdimisht në praktikat e të bërit biznes, duke kontribuar kështu në një Kosovë më funksionale, të drejtë, dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas përfaqësuesve të Rrjetit CSR Kosova, ngjarjet dhe organizimet e këtilla ndikojnë pozitivisht në rritjen e vizibilitetit dhe ndikimit të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative në shoqërinë tonë, duke motivuar kështu një numër të madh të kompanive dhe organizatave – të inkorporojnë në politikat e tyre parimet e CSR-it cilësor.