Banka Botërore i ndan 12 miliardë dollarë për luftimin e Coronavirusit

Banka Botërore është zotuar se do t’i ndajë 12 miliardë dollarë si ndihmë për shtetet në zhvillim, të cilat po përballen me përhapjen e Coronavirusit, i njohur si COVID-19.

Në këtë ndihmë financiare, përfshihen hua me shkallë të ulët të interesit, grante dhe ndihmë teknike.

Kjo masë erdhi në kohën kur udhëheqësit botërorë janë zotuar se do t’i mbrojnë vendet e tyre nga ndikimi negative ekonomik i përhapjes së Coronavirusit dhe kur pati paralajmërime se shtetet mund të zhytën në recesion, përcjell Telegrafi.

“Ne po mundohemi që ta kufizojmë përhapjen e kësaj epidemie”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Institucioni më i lartë në botë, tha se do t’i bëjë prioritet vendet më të varfra dhe që rrezikohen më së shumti. Ndihma financiare do të jepet me qëllim të përmirësimit të shërbimeve të shëndetit publik dhe bashkëpunimit me sektorin privat për zvogëlimin e ndikimit negative të Coronavirusit në ekonomi.

Gjysma e kësaj pakete të ndihmës do të jepet nga Korporata Ndërkombëtare për Financa (IFC), e cila punon me sektorin privat.

Autoritetet në mbarë botën kanë konfirmuar se më shumë se 92 mijë persona janë infektuar me Coronavirus, ku mbi 80 mijë raste janë regjistruar vetëm në Kinë dhe më shumë se 3 mijë njerëz kanë vdekur.