AZHB publikon rezultatet preliminare të granteve për disa sektorë

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) ka përfunduar sot vlerësimin preliminar për një pjesë të projekteve që kanë aplikuar në skemën e granteve për zhvillim rural të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2018.

Rezultatet preliminare janë publikuar për investimet në Asetet Fizike në Ekonominë Bujqësore, Diversifikimin e Fermave dhe Zhvillimi i Bizneseve, si dhe Masa për Ujitjen e Tokave Bujqësore, ndërsa ditëve të ardhshme do të publikohen rezultatet preliminare edhe për sektorë të tjerë.

Listat preliminare janë të qasshme për publikun nga sot në faqen e AZHB-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërkaq në ditët në vazhdim do të publikohen edhe rezultatet preliminare për projektet tjera.

Fermerët aplikues do të informohen përmes SMS-ve dhe email për publikimin e rezultateve të vlerësimeve preliminare.

Aplikuesit kanë afat ankese në një periudhë prej 15 dite, që nga dita kur shpallen rezultatet preliminare.

AZHB sqaron se lista e publikuar është preliminare dhe nuk është finale, pasi lista finale e projekteve të miratuara do të finalizohet dhe do të publikohet pas përfundimit të afatit të ankesave dhe kontrollit në terren.