Shokët torturojnë 11-vjeçarin vegjetarian, e detyrojnë të hajë bar

Një 11-vjeçar në Mbretërinë e Bashkuar është përballur me tortura të vazhdueshme nga bashkëmoshatarët e tij në shkollë, deri në atë pikë sa e urdhëruan të hante bar.

Vogëlushi vegjetarian, Jack Shanahan nuk ka ngrënë mish për tre vjet, ashtu si vëllezërit dhe motrat e tij.

Babai i tij, Lee Hales tregoi se kjo është një zgjidhje e tyre personale dhe se nuk i ka detyruar ta bëjnë këtë gjë.

Ai tha: “Me kurrë nuk i kemi detyruar fëmijët tanë për këtë gjë. Gjithçka që ata bëjnë e çfarë duan të jenë ka qenë vendimi i tyre”. Këtë javë, Jack u grind me fëmijët e tjerë në shkollë për dietën e tij.

Babai i 11-vjeçarit rrëfen se i biri u përlot dhe i tregoi se në klasë e kishin urdhëruar të hante bar. Jack më pas iu kishte thënë nxënësve të tjerë se rrezikohen nga kanceri nëse konsumojnë mish, por për këtë gjë ai ishte qortuar nga mësuesi.

Lee Hales pretendon se mësuesit i kanë sugjeruar vogëlushit 11-vjeçar të largohet nga ky institucion arsimor, për t’u transferuar në një tjetër shkollë.

Babai i vogëlushit tregon se është tronditur pa masë nga mënyra se si shkolla po e trajton situatën.

Për shkak të këtyre torturave të vazhdueshme në shkollë, Jack shkoi deri në atë fazë saqë shtirej sikur ishte i sëmurë vetëm për të mos shkuar në shkollë.

Lee shtoi:

“Ai tashmë ka filluar të bëjë sikur është i sëmurë vetëm për të shmangur vajtjen në shkollë. Kjo situatë ka vazhduar për tre muaj. Ai është një nga nxënësit më të shkëlqyer në klasën e tij, por është shumë i ndjeshëm. Unë e kam ngritur si shqetësim në shkollë, por ata kanë tendencën të mos japin një zgjidhje konkrete për këtë problem. Kjo është një çështje shumë serioze dhe mendoj se shkolla duhet të turpërohet.”