NASA anulon vizitën e shefit të Roskosmosit

Agjencia hapësinore NASA ka anuluar vizitën e Dmitry Rogozin, shefit të agjencisë hapësinore së Rusisë, i cili është subjekt i sanksioneve amerikane dhe Bashkimit Evropian, pas raportimeve kritike të mediave dhe thirrjeve të ligjvënësve amerikanë që të anulohet kjo vizitë.

“NASA e ka njoftuar agjencinë hapësinore ruse, Roskosmos, se (vizita e Rogozinit), që ishte planifikuar në muajin shkurt, duhet të shtyhet”, tha zëdhënësja e NASA-s, Megan Powers përmes një deklarate.

Powers tha se data e re për vizitën e shefit të Roskosmosit në selinë qendrore të NASA-s në Hjuston “ende nuk është caktuar”. Rogozin po ashtu ishte paraparë që të mbante një fjalim në Universitetin Rice.

Zëdhënësi i Roskosmosit, Vladimir Ustimenko i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se kjo agjenci ende nuk ka marrë njoftim nga NASA se vizita e shefit të tij është shtyrë.

Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine, ish-kongresist amerikan, gjatë muajit tetor të vitit 2018, i kishte thënë agjencisë TASS se ai e ka ftuar Rogozinin që të vizitojë selinë e NASA-s dhe ai do të kërkonte që t’i hiqej ndalesa e udhëtimit ndaj Rogozinit. Kjo ftesë, në atë kohë, nuk ishte raportuar nga mediat në Shtetet e Bashkuara.

Pasi Politico më 1 janar kishte raportuar për këtë ftesë, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen më 2 janar, i bëri thirrje NASA-s që të tërhiqej nga ftesa “përpara se Kongresi të detyrohet të veprojë”.

Senatorja Jeanne Shaheen
Senatorja Jeanne Shaheen

“Ftesa e administratorit Bridenstine ndaj Dmitry Rogozin, njërit prej arkitektëve të fushatës së agresionit të Kremlinit ndaj fqinjve të tij, nënvlerëson mesazhin tonë dhe minon objektivat kryesore të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë senatorja.

“Mesazh i gabuar”

Shaheen, senatore demokrate nga Nju Hampshajr, ka qenë një prej zërave më kritikë në Senat ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe ka bërë presion që SHBA-ja të “dërgojë një mesazh të fuqishëm në Kremlin”.

Senatori Mark Warner
Senatori Mark Warner

Senatori demokrat nga Virxhinia, Mark Warner, ka thënë se kjo vizitë “absolutisht dërgon mesazhin e gabuar që të hiqen sanksionet, qoftë edhe përkohësisht, me qëllim që ai (Rogozin) të mund të mbaj një fjalim para studentëve tanë në njërin prej universiteteve më të rëndësishme të vendit tonë”.

NASA dhe Roskosmos kanë bashkëpunuar për më shumë se dy dekada. Më 2011, dy agjencitë thelluan bashkëpunimin, pasi ShBA-ja tërhoqi nga përdorimi sondat, duke bërë që raketat ruse Soyuz të jenë e vetmja pajisje për të dërguar njerëzit dhe pajisjet e tjera në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Kjo marrëveshje bëri që NASA prej atëherë t’i paguajë Roskomosit rreth 2,5 miliardë dollarë për shërbimet e tij.

Bashkëpunimi hapësinor Rusi-ShBA “bie” sërish në Tokë

Rogozin ka qenë zëvendëskryeministër i Rusisë, përgjegjës për industrinë e mbrojtjes ruse. Ai fillimisht u bë subjekt i sanksioneve Perëndimore pasi publikisht mbështeti aneksimin e paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia më 2014. Sipas këtyre sanksioneve, ai nuk mund të hyjë në asnjë shtet të BE-së.

Shefi aktual i Roskomsit, ka qenë ambasador i Rusisë në NATO nga viti 2008 deri më 2011. Në maj të vitit 2018, ai u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Roskosmosit. /rel/