Miliarderi japonez kërkon dashnore për të shkuar në Hënë

Miliarderi japonez Yusaku Maezawa është në kërkim të një aventure të re pasi u nda me të dashurën e tij, aktoren 27-vjeçare Ayama Goriki.

Ai ka thënë se është duke kërkuar për një grua të re, e cila do t’i bashkohej atij në udhëtimin e parë të muajit të mjaltit në Hënë dhe kthimin pas në Tokë.

Anija kozmike “Space X” me pasagjerë civilë është planifikuar të niset në vitin 2023, duke kushtuar rreth 2 milionë dollarë për person. Do të jetë udhëtimi i parë në Hënë që nga viti 1972, transmeton KosovaPress.

Maezawa tha në një mesazh në Twitter se dëshironte ta ndante atë përvojë me një grua “speciale”. Ai i ftoi të gjitha vajzat të regjistroheshin për takime.

“Vetmia dhe zbrazëtia po më ngacmojnë ngadalë. Unë thjesht po mendoj për një gjë: të vazhdoj ta dua një grua”, shkruan miliarderi japonez në faqen e tij të internetit.

“Dua të gjej një partner jete dhe të dërgoj një mesazh paqeje dhe dashurie nga hapësira e jashtme,” shtoi miliarderi japonez.