Fundi i botës, më afër se kurrë: Ora e Kiametit, 100 sekonda para mesnatës

Shkencëtarët besojnë se jemi më afër fundit të botës se kurrë më parë.

Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë – një grup jofitimprurës i shkencëtarëve dhe i ekspertëve të sigurisë, të cilët monitorojnë gjasat e apokalipsit, të shkaktuar nga njerëzit – e ka lëvizur Orën e Kiametit 100 sekonda para mesnatës.

Më afër mesnatës, ora nuk ka qenë asnjëherë tjetër në historinë e saj 75-vjeçare.

“Njerëzimi vazhdon të përballet me dy rreziqe të njëkohshme ekzistenciale – luftën bërthamore dhe ndryshimet klimatike – që bëhen edhe më të rënda nga një përforcues i rrezikut, lufta informative e ndihmuar nga kibernetika, e cila e dëmton aftësinë e shoqërisë për të reaguar”, ka thënë Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë, nëpërmjet një komunikate.

 

 

 

 

“Situata ndërkombëtare e sigurisë është e rëndë, jo vetëm sepse ekzistojnë këto rreziqe, por edhe sepse udhëheqësit botërorë kanë lejuar që të prishet infrastruktura politike ndërkombëtare që i menaxhon ato”, kanë vlerësuar shkencëtarët.

Sipas Buletinit, Ora e Kiametit është pasqyrim i afërsisë së njerëzimit me fundin e vet. Çdo vit, që prej krijimit të kësaj ore më 1947, shkencëtarët dhe ekspertët mblidhen për të diskutuar rreth gjasave të kiametit, dhe e ndryshojnë orën sipas rrethanave. Veprimi i tyre është i menduar të shërbejë si paralajmërim.