COVID-19, restoranti eksperimenton me kabina xhami mbi çdo tryezë

Kabina të vogla prej xhami, në formë serre, të vendosura në mjediset e jashtme të lokalit, ku mund të darkojnë 2 deri në 3 persona. Kjo është zgjidhja që ka eksperimentuar një restorant në Holandë për t’i bërë ballë situatës së COVID-19.

Kamerierët afrohen me dorashka e maska transparente në fytyrë, dhe përdorin dërrasa të gjata për t’i shtruar pjatat mbi tryezë, në mënyrë që të mos futen fare në kabina.

Edhe klientët që do të lejohen duhet të jenë familjarë ose pjesë të stafit të restorantit, i cili quhet “ETEN” dhe është pjesë e qendrës së arteve “Mediamatik”, në kryeqytetin holandez.

Organizatorët i kanë quajtur me termin francez “Serres Sèparèes”, që do të thotë “Serra të veçuara”, pasi tingëllojnë më mirë në gjuhën frënge.

Qeveria holandeze ka dhënë urdhër që restorantet të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më 19 maj, por kuzhinat mund të bëjnë dërgime ushqimi në shtëpi.

Shoqata e restoranteve në Holandë ka thënë se edhe po të hapen me kapacitet të kufizuar, siç ka propozuar qeveria, shumë prej tyre do të rrezikonin sërish falimentimin, për sa kohë që vazhdojnë rregullat e distancimin social.

Holanda ka pasur 42 mijë të infektuar me COVID-19 deri tani, dhe 5305 të vdekur.