Balenës së ngordhur i nxirren nga barku 100 kilogramë hedhurina

Një balenë e ngordhur, e cila u gjet në brigjet e ishullit Harris në Skoci, i kishte 100 kilogramë mbeturina të ndryshme në bark.

Në mesin e mbeturinave që u gjetën në barkun e krijesës së gjorë kishte rrjeta peshkimi, litarë, rripa, çanta dhe qese plastike.

Ekspertët e balenave thanë se nuk dihet saktësisht nëse këto mbeturina janë shkaktar i drejtpërdrejtë i ngordhjes së saj.

Megjithatë, banorët lokalë thonë se gjetja e kësaj balene të ngordhur e vë në pah problemin e ndotjes së deteve dhe oqeaneve.

Rrjeta e peshkimit dhe litarët e gjetur në barkun e balenës së ngordhur

Dan Parry, i cili jeton afër vendit ku u gjet balena e ngordhur, tha: “Ishte shumë pikëlluese, sidomos kur i pamë rrjetat e peshkimit dhe mbeturinat që ndodheshin në barkun e saj. Ne ecim nëpër këto plazhe gati çdo ditë dhe gjithmonë e marr një qese për t’i mbledhur mbeturinat, shumica e të cilave kanë të bëjnë me peshkimin.”

Besohet se mbeturinat e gjetura në barkun e balenës kanë prejardhje nga terreni tokësor dhe nga industria e peshkimit.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i balenave dhe delfinëve që janë gjetur të ngordhur në bregdetin skocez është duke u rritur. Nga numri 204 në vitin 2009, kjo shifër u rrit në 930 raste në vitin e kaluar, shkruan “BBC”.