Veseli: Pakoja e propozuar nga PDK ndodhet në Kuvend, ajo ndihmon 280 mijë punëtorë të sektorit privat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot një fabrikë kosovare e cila edhe në këtë kohë pandemie nuk e ka ndalur prodhimin e produkteve ushqimore.

Lideri i PDK-së gjatë vizitës në fabrikën “Elkos” në Pejë shpalosi pakon e rimëkëmbjes ekonomike që e ka propozuar PDK e që kap shifrën prej 320 milionë euro.

Gjatë bashkëbisedimit me pronarin Ramiz Kelmendi, Veseli tha se pakoja e propozuar e cila vazhdon të mbetet në procesuara parlamentare do ti ndihmojë 280 mijë punëtorë të sektorit privat si dhe mijëra biznese.

Ai i bëri thirrje kryetares së Kuvendit që të procedojnë shpejt në seancë pakon e rimëkëmbjes ekonomike që ka propozuar PDK.

“Nuk janë gjithë ndërmarrësit si Ramiz Kelmendi. Sektori i shërbimeve, sektori i hotelie risë, nuk ka mundësi të paguajë qiranë, nuk ka mundësi të paguajë punëtorët, kredinë. Po flas për 280 mijë punonjës të sektorit privat të cilat kanë nevojë emergjente që Qeveria e Kosovës të reagojë sa më shpejt që të mbajë këto familje mos t’i kthejë në asistencë sociale në mënyrë që ata pas tre muajve të jenë ata që po ashtu mbushin arkën e shtetit, të cilët e mbajnë ekonominë e Kosovës dhe të cilët e mbajnë mirëqenien po ashtu”, tha Veseli.

Sipas tij, ndërmarrësit që janë duke punuar, nuk duan lëmoshë, mirëpo siç tha ai qeveria e Kosovës duhet të veprojë sa më shpejt për t’i mbështetur.

“Pakoja nuk është tërhequr dhe nuk do të tërhiqet asnjëherë. Si Parti Demokratike do ta shtyjmë fuqishëm. Për fat nuk patëm përkrahjen në seancën e jashtëzakonshme. Donim ta kryenim të martën për një ditë, por tani do të shkojmë në procedura të rregullta. Thërras qeverinë e Kosovës të reflektojë ndaj kësaj situate, thërras edhe kryetaren e Kuvendit ta vejë në rend të ditës javën e ardhshme në mënyrë që ta kalojmë pakon e cila duhet të na bashkojë e jo të na ndajë”, shtoi Veseli.

Për 21 vjet, këto biznese sipas Veselit e kanë mbajtur Kosovën të fortë dhe kanë kontribuar për arkën e shtetit.

Pronari i kompanisë “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi ka përkrahur pakon e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për çka tha se një përkrahje e tillë do të ndihmonte shumë ndërmarrjet private.

“Bizneset private dhe qytetarët kanë nevoje për mbështetje dhe vizita të tilla në mënyrë që të shihet drejtpërdrejt propozimet që ka dhënë PDK për ta mbështetur sektorin privat, dhe janë më se të domosdoshme në mënyrë që të përballojmë krizën. Është e njohur që bizneset të cilat i mbështet qeveria në kohë krize dalin në pozitë më të favorshme, se sa bizneset e regjionit. Pra, është një mundësi e mirë që pakoja nga PDK na bën neve që pas pandemisë të kalojmë hapin në raport me shtetet e regjionit”, tha Kelmendi.