Vdekja tragjike e familjes shqiptare nga Zvicra, Pacolli apelon për kujdes të shtuar në komunikacion

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovë, Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi të dielën në magjistralen Suharekë – Duhël.

Pacolli ka thënë se nga ky aksident u shua një familje e cila kishte ardhur nga Zvicra për pushime në vendlindje.

Ai u ka bërë apel të gjithë ngasësve në trafik, që të kenë kujdes, të respektojnë rregullat dhe jetën e tyre.

“Sot, një familje e tërë u shua në një aksident të tmerrshëm në fshatin Biraq. Një familje me banim në Zvicër e cila ka ardhur për të kaluar pushimet e tyre në vendlindje. Shumë tragjike, shumë e rëndë! Ju bëj apel: Kini kujdes, respektoni rregullat, respektoni jetën tuaj dhe të tjerëve”, ka shkruar Pacolli.

Ndërkohë, Policia e Kosovës me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor apeloi tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të respektojnë shenjat e trafikut, t’iu përshtaten kushteve të rrugës, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

“Faktorët kontribuues në shkaktimin e aksidenteve janë kryesisht tejkalimi i shpejtësisë dhe mosrespektimi i shenjave te komunikacionit rrugor”.