Thaçi i gëzuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë, por kritikon BE-në për izolim të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian për këto dy vende, për shqiptarët dhe për gjithë rajonin tonë.

Thaçi, megjithatë, në një shkrim në Facebook, tha se BE-ja po vazhdon ta diskriminojë Kosovën duke e lënë të izoluar.

“Përkundër padrejtësive të vazhdueshme, më në fund edhe Bashkimi Evropian nisi të marrë vendime meritore dhe kjo uroj të jetë një kthesë e tyre për trajtim të barabartë të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian po vazhdon ta diskriminojë Kosovën duke e lënë të izoluar dhe ende pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ky është gabimi më i madh strategjik, që Bashkimi Evropian është duke e bërë kundër Kosovës”, shkroi Thaçi.