Si ndodh procesi i shkarkimit të një presidenti amerikan?

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka njoftuar të martën se do të nisë një hetim zyrtar nëse presidenti Donald Trump, duhet t’u nënshtrohet procedurave të shkarkimit.

Ky vendim vjen pas raportimeve se presidenti Trump gjatë një telefonate në korrik me presidentin e Ukrainës, Volodomyr Zelenskyi, kishte kërkuar nga ai hetim të plotë mbi ish-nënpresidentin dhe kandidatin për president në zgjedhjet e ardhshme në SHBA, Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, duke kushtëzuar me tërheqjen e mbështetjes financiare për ushtrinë e Ukrainës.

Presidenti, Donald Trump ka thënë se thirrja telefonike e 25 korrikut ishte “shumë miqësore” dhe se ai nuk bëri “presion” ndaj Zelenskiyt.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Vadym Prystaiko, më 21 shtator mohoi pretendimet se Trump kishte bërë presion ndaj Zelenskiyt gjatë telefonatës.

“Unë e di se për çfarë bëhej biseda, dhe unë mendoj se nuk kishte presion”, tha Prystaiko.

Çka është procedura e shkarkimit (Impeachment)?

Kushtetuta amerikane e lejon Kongresin të largojë nga detyra presidentët para se mandati i tyre të përfundojë nëse shumica e ligjvënësve votojnë duke thënë se presidenti ka kryer “tradhëti, ryshfet, shkelje të rëndë ose keqbërje tjera”.

Deri më tani vetëm dy presidentë kanë kaluar në këtë procedurë – Andrew Johnson më 1868 dhe Bill Clinton më 1998 – dhe të dy u liruan përfundimisht dhe përfunduan mandatin e tyre në detyrë. Ish-presidenti, Richard M. Nixon, dha dorëheqjen më 1974, për t’iu shmangur procedurës së shkarkimit.

Çfarë konsiderohet si shkelje e rëndë dhe keqbërje?

Termi “shkelje të rënda dhe keqbërje” vjen nga tradita ligjore britanike, që ishte lloj i veprës penale të cilën parlamenti e përmendi në largimin e zyrtarëve të kurorës për shekuj me rradhë.

Në thelb, kjo do të thotë një abuzim me pushtetin nga një zyrtar publik i nivelit të lartë. Kjo, jo domosdoshmërisht duhet të jetë shkelje e një ligji të zakonshëm penal.

Në vitin 1788, pasi hartuesit e Kushtetutës po i nxisnin shtetet të ratifikonin dokumentin, Alexander Hamilton (njëri ndër themeluesit e SHBA-së) i përshkroi këto vepra në një prej Gazetave Federale si “ato vepra që rrjedhin nga sjellja e gabuar e personave publik, ose, me fjalë të tjera, abuzimi ose shkelja e besimit të publikut”. Ato janë të një natyre që mund të emërtohen “politike”, pasi lidhen kryesisht me dëmtimet e bëra menjëherë për vetë shoqërinë.

Si zhvillohet procesi?

Si në rastin e Nixon ashtu edhe në atë të Clinton, Komiteti për Drejtësi i Kongresit, zhvilloi një hetim dhe i rekomandoi gjetjet për procedurën e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në teori, megjithatë, Dhoma e Përfaqësuesve mund të krijojë një panel të posaçëm për të trajtuar procedurat, ose mund të hedh në votim gjetjet pa formuar një komision të posaçëm. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton me shumicë duke e shpallur fajtor presidentin, atëherë kjo në thelb është e barazavlefshme me të qenurit i akuzuar.

Më pas procedura kalon në Senat, i cili e zhvillon një proces gjyqësor të mbikqyrur nga kryetari-ja e Gjykatës Supreme.

Një ekip ligjvënësish nga Dhoma e Përfaqësuesve, luajnë rolin e prokurorëve. Presidenti ka avokatë mbrojtës dhe Senati shërben si juri.
Nëse të paktën dy të tretat e senatorëve e konsiderojnë presidentin fajtor, ai shkarkohet, dhe nënpresidenti merr përsipër detyrën e presidentit. Ndaj këtij vendimi nuk mund të bëhet ankesë.

Si e fillon Dhoma e Përfaqësueve procedurën e shkarkimit?

Kjo ka qenë një çështje që ka ngjallur mosmarrëveshje. Gjatë përpjekjeve për fajësim të Nixonit dhe Clintonit, Dhoma e Përfaqësuesve votoi rezolutat që e urdhëronin Komitetin për Drejtësi të fillonte hetimet. Por, nuk është e qartë nëse ky veprim është domosdo i nevojshëm, sepse procedurat e fajësimit ndaj zyrtarëve të tjerë, si në rastin e një ish gjyqtari federal më 1989, filluan në nivel të Komitetit.

Komiteti i Drejtësisë, i udhëhequr nga ligjvënës demokratë, Jerrold Nadler, ka pohuar se është i angazhuar në një hetim. Departamenti i Drejtësisë ka argumentuar se meqenëse nuk ka pasur asnjë rezolutë të Dhomës së Përfaqësuesve, veprimet e Komitetit janë thjeshtë një procedurë rutinore e mbikëqyrjes.

Zonja Pelosi në njoftimin e saj nuk tha se synonte të sillte ndonjë rezolutë para ligjvënësve. Pavarësisht dallimeve nëse duhet ose jo një rezolutë e Dhomës së Përfaqësuesve për të nisur hetimin, numri i demokratëve që mbështesin një të tillë, kohët e fundit është në rritje. Të martën vonë, New York Times numëroi 203 ligjvënës që thanë se janë pro procedurave të fajësimit, 88 thanë se i kundërshtojnë ato ose ishin të pavendosur, dhe 144 të cilët nuk i ishin përgjigjur pyetjes.

Nëse çështja Trump arrin deri në Senat atëherë ligjëvënësit republikanë që përbëjnë shumicën, mund të votojnë për të hedhur poshtë menjëherë akuzat kundër Trumpit pa marrë parasysh provat.

Cilat janë kushtet e shkarkimit?

Kushtetuta amerikane nuk e specifikon shumë, duke e bërë fajësimin dhe shkarkimin më shumë një çështje të vullnetit politik se sa subjekt të një analize ligjore.
Për shembull, Kushtetuta nuk detajon se si ligjvënësit mund të zgjedhin të interpretojnë atë që bën apo nuk përbën “tradhëti, ryshfet, apo shkelje të rënda”. Pra, nuk ka standarde të tashmë të vendosura të cilat duhet ndjekur.

Pse u përfshi në Kushtetutë procedura e shkarkimit të presidentit?

Themeluesit e Shteteve të Bashkuara krijuan zyrën e presidencës dhe kishin frikë se fuqitë e saj mund të keqpërdoren. Kështu që, ata përfshinë në Kushtetutën e SHBA-së, një procedurë për shkarkimin e një presidenti nga detyra. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të shkarkohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rwnda dhe keqbërje tjera”.

Por, se çfarë përbën “shkelje të rëndë” është e paqartë. Historikisht, ato mund të përfshijnë korrupsionin dhe abuzimet e tjera të besimit të publikut.

Një president nuk ka nevojë të ketë shkelur një ligj specifik penal për të kryer një shkelje të rëndë. Shumë analistë ligjorë kanë thënë se presioni ndaj një lideri të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së është lloj sjelljeje që themeluesit e kombit do ta konsideronin një vepër të pafalshme.