Violinçelisti gjermano – shqiptar, për herë të parë TOB

Një vit më parë Joel Bildo, violinçelisti me origjinë shqiptare nga e ëma u prezantua në Filarmoninë e Berlinit nga David Geringas, një emër i madh i tingujve klasik në botë. I cilësuar nga kritika gjermane si një yll në ngritje, Joeli, do të ketë ngjitjen e tij të parë në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Në violinçel nisi të luajë kur ishte 4 vjeç. Koncertin e parë si solist me orkestër e mbajti në moshën 10 – vjeçare. Sot 16, ai është fitues i gjashtë vendeve të para në konkurset për të rinj në Gjermani.

Joeli është djali dhe nipi i vetëm në familjen Bildo. Babai i tij pianist gjerman mban gjithashtu të njëjtin mbiemër, pasi ishte një dëshirë e bashkëshortes së tij shqiptare për të trashëguar mbiemrin.

Një gjerman që e do shumë Tiranën dhe artistët shqiptarë. Bashkëpunimi i tij i parë është me pianistin dhe dirigjentin Desar Sulejmani, për të vazhduar me të tjerë në koncertin që do të mbajë në ditët e para të Korrikut në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.