Pse u lirua Cozman nga burgu, flet avokati

Vendimi i gjykatës për lirimin e reperit kosovar Ylber Abdullah i njohur si Cozman, i cili u kap me 20 gram hashash në makinë, ka nxitur polemika.

Gjykata vendosi dje për lirimin e tij kundrejt një shume prej 5 mijë eurosh si garanci pasurore.

Avokati i çështjes Marash Ibraj sqaroi sot se gjykimi i rastit në fjalë është i ndershëm dhe se është bazuar në disa pika kyçe. Së pari, familjarët e Ylber Abdullah-ut sollën nga klinika e Prishtinës një vërtetim që tregonte se ndaj këtij shtetasi zbatohej një program terapeutik për të bërë të mundur çlirimin e tij nga varësia e drogës, transmeton shekulli.

Në këto kushte, në respekt të nenit 230/2 të K. Penal, gjykata nuk mund të caktonte masë sigurimi arrest në burg. Avokati shpjegoi dje se nuk mund të caktohet masë arresti me burg për një shtetas që nuk ka shtëpi në Shqipëri dhe që ka pasaportë angleze dhe shtetësi kosovare.

“E vetmja mënyrë në këto raste ashtu siç edhe gjykata me të drejte vendosi, për të mbajtur “të lidhur” këtë shtetas me drejtësinë shqiptare ishte caktimi i masës së sigurimit “garanci pasurore”!! Si përfundim, besoj t’ju kem bindur në drejtësinë e vendimit dhe në ndershmërinë e gjykimit”, u shpreh avokati.