Miriam Cani na mëson si të sillemi me personat negativë

Këngëtarja e njohur Miriam Cani e cila është shumë aktive në rrjetet sociale,herë pas here ndanë me miqtë e saj,fragmente të shkëputura nga libra që lexon.

Këngëtarja e cila vetë është një person shumë pozitiv,kësaj radhe ka shpërndarë një artikull të shkruar nga Endri Ndoni të cilat na këshillojnë se si të sillemi më personat negativë,transmeton lajmi.net

Ne po ju sjellim të plotë këto këshilla që këngëtarja e cila së shpejti pritet të bëhet nënë për herë të parë,e ka quajtur super artikull:

“I keni parasysh personat negativë? Arrini të kujtoni si ndiheni pas një bisede me ta? A e mbani mend sa zgjat impakti që lënë në gjëndjen tuaj shpirtërore pasi mbaron takimi?

Ka disa persona që thjesht transmetojnë energji negative. Dhe e bëjnë këtë gjë vazhdimisht.
Ankohen, viktimizohen, sulmojnë, justifikohen, imponojnë, shesin mend, kritikojnë, nuk përgëzojnë, xhekozojnë dhe i bëjnë çdokujt vetëm moral!
Dhe ajo që bëjnë më mirë është shterimi konstant i energjive të të tjerëve.
Natyrisht, të gjitha këto janë të paevitueshme, dhe do ndodhin, (madje ndonjëherë janë të nevojshme), por duhen kontrolluar, për të mirën tonë e të gjithë personave që na rrethojnë.

Pas një eksperience personale me një të njohurin tim që ishte mjeshtër në transmetim negativiteti vendosa të krijoj një manual personal për tu marrë me personat negativë. Kjo lindi si një nevojë për të krijuar një mekanizëm të përditshëm mbrojtës ndaj shterimit të frymëzimit dhe energjive të mia pozitive.

Më poshtë kisha dëshirën të ndaja me ju 5 nenet e thjeshta të “Codus Positivus Latinus Tingëllon më Mirus”:

Mos u përfshij në proçesin e negativitetit

Ajo që kam vënë re shpesh është se njerëzit negativë thurin himne të vzhdueshme për gjërat e këqija dhe injorojnë aspektet e bukura të të njëjtës çështje. Gjithashtu kanë tendencën për të egzagjeruar pasojat e asaj që po i ndodh, duke e bërë vështirësinë e tyre të duket shumë më e madhe se ç’është.

Andaj, herën e parë që flisni me një negativ, tentoni ta dëgjoni dhe shprehni gatishmërinë për ta kuptuar. Mundohuni të evidentoni këndvështrimin tuaj pozitiv mbi çështjen që po ndan me ju. Ofroni suportin tuaj. Por vendosni një limit të qartë. Nëse negativi insiston duke përsëritur të njëjtat gjëra, lëreni të vazhdojë, por mos u bëni pjesë e negativitetit. Sa herë që ka tendenca negative përgjigjuni thjesht “Po” ose “Kuptoj”. Por në të gjitha episodet pozitive të personit reagoni me entuziazëm dhe aprovim. Krijoni një diferencë të dukshme midis reagimeve tuaja. Kur ta keni bërë këtë gjë mjaftueshëm, negativi do e kuptojë ç’po ndodh dhe do ndryshojë përqasjen duke u bërë vetvetiu më pozitiv.

Tentoni të mos i takoni vetëm për vetëm

Nëse jeni në një takim vetëm ju dhe negativi, me shumë gjasë ju jeni në krahun marrës të sinjaleve negative. Duke qënë vetëm dy persona, ambienti është më komod dhe i preferueshëm për negativin që të shprehet lirshëm në himnin e tij. Dhe ju do filloni të ndieni kokën t’ju rëndohet pak nga pak, e do filloni të ndërtoni një mur virtual që pengon fjalët e tij. E do përqëndroheni tek tiparet e fytyrës një nga një. (Ueeee sa hundë të çuditshme paska…) -“Po”, “Ëhë”, “Kuptoj…”

Mënyra për të evituar këtë është duke marrë persona të tjerë në bisedë. Në fakt sa më shumë persona aq më mirë. Në këtë mënyrë përgjegjësia shpërndahet midis të gjithëve anëtarëve të grupit dhe gjithashtu ka më shumë mundësi për tu shpëqendruar në tema të ndryshme. Praktikisht rritet mundësia e zgjedhjes së temave pozitive.

Jo vetëm kaq, por duke qënë se njerëzit nxjerrin personalitete të ndryshme me persona të ndryshëm, në një grup më të madh, gjasat janë që produkti final i atmosferës së bisedës të jetë pozitiv.

Mos e merrni si personale

Personat negativë kanë tendencën ta shohin të keqen tek të tjerët. Dhe kjo sjell kritikat. Zakonisht të pajustifikuara. Por në thelb personat nuk kritikojnë për të dëmtuar. Thjesht atë dinë të bëjnë më mirë. Ashtu ndihen më të plotësuar dhe në një farë sensi të detyrojnë të ndjekësh mënyrën e tyre. (Si mund t’i rezistosh një kritike pa replikuar?)

Megjithatë nuk duhen marrë personale. Në vend që të fokusoheni tek kritika, tentoni të përqëndroheni tek mesazhi i fshehur mes rreshtave. Ndoshta mund të nxirrni një leksion prej tij. (Njerëzit kanë tendencën të jenë shumë të vërtetë kur janë në gjendje emocionale të ngritur) Gjithashtu mos harroni të kuptoni arsyen e negativitetit të tyre. Objektivizoni atë që ju thonë. Fundja, ju jeni në krahun pozitiv.

Ndryshoni përqasjen

Edhe pse shpesh personat negativë trajtojnë njësoj të gjitha temat, ka gjithmonë një mundësi të pafundme për të shkëmbyer ndryshe. Propozoni një temë të re. Diçka më të lehtë, që vetvetiu të rrit humorin. Ndani një eksperiencë të bukur tuajën, bëni një kompliment, ofrojini një këndvështrim optimist. Negativiteti shpesh është koraca me të cilën njerëzit mbulojnë nevojën për dashuri, mirënjohje dhe respekt.

Ndonëse askush nuk ju detyron të ofroni më shumë se ç’mundeni, nëse sinqerisht e ndjeni, ofroni ndihmë. Nëse keni një mundësi konkrete, ndajeni me të. Njerëzit harrojnë shpesh fjalët që i keni thënë, por nuk harrojnë kurrë si i keni bërë të ndihen. Dhe ndonjëhere duhet shumë pak kontribut nga ana juaj për të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e të tjerëve. Pra, duke qënë vetë mirënjohës dhe altruistë, do transmetoni të njëjtën gjë edhe tek të tjerët. Mos harroni, pozitiviteti është po aq ngjitës sa negativiteti.

Kontrolloni kohën që i dedikoni negativëve

Jim Rohn, një autor dhe sipërmarrës amerikan thotë: “Ju jeni mesatarja e 5 personave me të cilët kaloni shumicën e kohës tuaj”. Personat të cilëve i dedikojmë kohën tonë kanë një impakt shumë të fortë në atë që ne bëhemi. Duke qënë vazhdimisht të ekspozuar ndaj pesimizmit, ankesave apo kritikave, do kthehemi vetvetiu në të tillë. Nëse jeni të sigurt se persona të caktuar janë negativë, thjesht raciononi kohën që i kushtoni atyre. Mësoni të thoni Jo. Bëni një bilanc se si ndiheni pasi jeni çuar nga tavolina me një person. Nëse jeni të shteruar e të lodhur, ndoshta po i dedikoni shumë kohë.

Nëse duhet patjetër ta takoni për një çështje emergjente, mbajeni bisedën të fokusuar tek çështja. E nëse pavarësisht të gjitha përpjekjeve tuaja negativiteti vazhdon, distancojini këta persona. Ndonjëherë zgjedhjet ekstreme janë më efikaset. Fundja, ju jeni Zoti i jetës suaj, dhe nëse misioni juaj është të jeni të përmbushur, jeni të lirë të zgjidhni atë që është më mirë për ju”.