Jehona Sopi po i rikthehet muzikës

Këngëtarja e hiteve të dikurshme në estradë, Jehona Sopi, ka tash e sa vite që nuk është aktive në muzikë intensivisht.

Mirëpo fansat e muzikës së saj do të duhet të presin vetëm edhe pak, kjo pasi duket se këngëtarja ka mbledhur forcat për një rikthim të ri në muzikë.

Këtë gjë e ka bërë të ditur kompozitori i njohur maqedonas, Darko Dimitrov, i cili ka publikuar një fotografi me Jehonën në studion e tij.

“Jehona Sopi është kthyer në studio”, ka shkruar Darko në mbishkrimin e kësaj fotografie, ku dy bashkëpunëtorët e dikurshëm shihen mjaft të buzëqeshur pranë njëri-tjetrit.

Ndërkohë, ishte edhe kolegu i saj, këngëtari Mentor Haziri i cili ka publikuar fotografi nga e njëjta studio, ku shfaqet në shoqëri të këngëtares.

Jehona përndryshe u distancua nga muzika pas përkushtimit në familje, si bashkëshorte dhe nënë e një vajze, të pagëzuar me emrin Aria.

Këngëtarja Sopi është e njohur për hitet e saj ndër vite si: “Fustani i bardhë”, “Marramendja”, “Të shkuara”, “Unë do t’i laj këmishat tua” etj.