Gazetarët bëjnë komente të pahijshme për vajzën e Beyonce-s dhe tani rrezikojnë vendin e punës

Një kritik filmash i Vanity Fair, i quajtur K.Austin Collins, rrezikon vendin e punës pas një komenti aspak të këndshëm që bëri për vajzën e Beyonce-s dhe Jay Z-së, Blue Ivy-n. Pas fotos që mikesha e Beyonce-s, Megan Thee Stallion publikoi me këngëtaren dhe të bijën, ku ngjashmëria e Blue me Beyonce-n ishte e frikshme, kritiku nuk mendoi kështu. Në një postim në Twitter, që tashmë është fshirë, Collins sulmoi 7-vjeçaren duke shkruar:

“Kam një parandjenjë që genet e fytyrës së Jay Z-së do të ‘godasin’ Blue Ivy-n dhe më vjen shumë keq për të.”

Nuk vonoi një koment, po aq i rëndë, nga editorja e web-it të Harper’s Bazaar, Violet Lucca.

“A nuk e kanë bërë tashmë?” -shkroi ajo.

“Ke të drejtë. Por ajo është me fat, nëse i ndodhi tani, kur të rritet do ndryshojë. Do ta kalojë herët fazën e ‘rosës së shëmtuar’”, -ka shtuar në një tjetër koment Collins, duke e përkeqësuar më shumë situatën.

Sipas Page Six, Violet Lucca bëri një tjetër koment të rëndë, por e fshiu para se dikush të siguronte një screenshot. Ajo shkruante:

“Ose thjesht do bëjë operacione plastike në moshën 16-vjeçare, si Kylie Jenner dhe ne të gjithë do të shtiremi sikur ajo është dukur gjithmonë ashtu. Nuk ia lejoj vetes të më vijë keq për të pasurit.”

Komentet fyese ndaj pamjes së vogëlushes u bënë menjëherë virale dhe të gjithë kërkojnë pushimin nga puna të të dy gazetarëve.

Disa minuta më vonë, Collins e fshiu postimin dhe shkroi një tjetër, ku kërkonte falje për komentin.

“Më vjen keq për postimin që bëra për Blue Ivy-n. Ishte një shaka e keqe. Veçanërisht vajzat me ngjyrë meritojnë më shumë”, -shkroi ai, por kjo nuk ndryshoi asgjë.

Njerëzit vazhdonin të shprehin revoltën ndaj fjalëve të pamatura të gazetarit dhe për shumë falja ishte e papranushme, pas atye komenteve dashakeqe.