“Eurovizion” për herë të parë përjashton një shtet nga gara

Për herë të parë në 61 vite të historisë së Festivalit Europian të Këngës ka ndodhur që një vend të përjashtohet nga kompeticioni.

Rumania është përjashtuar nga “Eurovizion 2016” për shkak se televizioni publik i detyrohet 10 milionë euro Unionit Europian të Transmetimit, (EBU) që nga viti 2007.

“Përfaqësuesit e EBU, lidhjes më të madhe në botë të transmetuesve publikë, kanë paralajmëruar përfaqësuesit e TVR se për shkak të borxheve të mbledhura në tetë vitet e shkuara, do të kalojnë në një fazë të re sanksionesh. Kështu Rumania rrezikon të mos pranohet në skenën e Eurovizionit dhe të mos marrë sinjal satelitor për të transmetuar garën”, tha TVR në një deklaratë.

Sipas TVR, pavarësisht se u pagua në kohë tarifa për pjesëmarrjen në vitin 2016 dhe tashmë po paguhet një pjesë e borxheve, ku një këst prej 250,000 eurosh është paguar në Janar, kjo nuk mundi të bindë EBU se do të bëhet pagesa e plotë. EBU i ka kërkuar shtetit të garantojë pagimin e borxht, tha TVR./