Edhe një sukses i radhës për filmin ‘Nëntori i ftohtë’.

Filmi me regji të regjisorit kosovar, Ismet Sijarina, do të fillojë të shfaqet në festivalin e filmit në Suedi, “Göteborg Film Festival“.

‘Nëntori i ftohtë’ është një film i vitit 2018, në të cilin flitet në gjuhën shqipe dhe serbe, shkruan Gazeta Express.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillimviteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

“Göteborg Film Festival” është festivali më i madh i filmit në gjithë Skandinavinë, i cili mbahet në Suedi, ndërsa filmi kosovar do të shfaqet nga data 28 janar deri më 1 shkurt.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “AUDIOHAUS” dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli.

Skenari është i shkruar nga: Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie: Sevdije Kastrati. Montazher: Vladimir Pavlovski. Muzika: Jericho. Producentë: Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Paskal Semini, Valon Bajgora. Regjia: Ismet Sijarina.