Banda që po performonte në “Bataclan” rikthehet në Paris

I mbani mend “Eagles of Death Metal”? Më 13 nëntor ishin duke dhënë shfaqje në sallën e koncerteve “Bataclan” të Parisit, kur papritur e pakujtuar aty hynë terroristët dhe shkaktuan me dhjetëra viktima. Megjithatë, ajo çfarë ndodhi atë natë të tmerrshme terrori nuk i frikëson aspak. Ata do të rikthehen në kryeqytetin francez.

Sipas “Billboard”, banda muzikore do të japë shfaqje së bashku me U2, të dielën ose të hënën, gjatë një prej dy koncerteve që janë programuar të jepen në “AccorHotels Arena”. Në skenë do të ngjitet edhe bashkëthemeluesi i grupit, Josh Homme, i cili nuk ishte i pranishëm atë natë të tmerrshme.

Banda e kishte shprehur prej ditësh dëshirën për t’u rikthyer sërish në “Bataclan”, ndërsa tashmë duket se do ta realizojnë atë, duke u ngjitur së bashku me Bono Vox dhe anëtarët e tjerë të U2, për të bërë në mënyrë figurative edhe mbylljen e koncertit të ndërprerë më 13 nëntor prej sulmeve terroriste.

Mes të ftuarve të mbrëmjes do të jetë edhe Patti Smith. Gjithsesi, atë natë 13 nëntori, gjatë koncertit të kthyer në tragjik, humbën jetën 90 persona, mes të cilëve edhe italianja Valeria Solesin.