“5 vjet burg kush feston Krishtlindjen”

Në shtetin e vogël të Borneos, më datë 25 dhjetor, qytetarët duhet të respektojnë ligjin, “nuk lejohen kryqe apo zbukurime dekorative në pemë”.

Për të gjithë ata që shkelin ligjin do të ketë 5 vjet burg. Kështu është shprehur sulltani i Bruneit, Hassanal Bolkian: “Pesë vjet burg kush feston Krishtlindjet”.

Sipas medieve të huaja, nëse jashtë vendit të tij, Bolkian adhuron luksin perëndimor dhe për këtë shkon shpesh në Londër, pas rikthimit në atdhe duket se është shumë strikt në besimin e tij.

Pasi riktheu ligjin e Sharias në vitin 2014, sulltani i Bruneit, në janar kishte njoftuar se do të ndalonte festimet për Krishtlindjen e vitit 2015.

Dhe këtë vit, sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, në 25 dhjetor qytetarët nuk do të mund të “mbajnë simbole si kryqe, ndezje të qirinjve, të zbukurojnë pemën e Krishtlindjes, të këndojnë vargje fetare apo të dërgojnë urime”.

Kush nuk është mysliman, mund të festojë Krishtlindjet, por vetëm në brendësi të komunitetit të tij dhe pasi të ketë paralajmëruar autoritetet dhe shpjeguar se çfarë ka ndër mend të bëjë.

Ndërkohë, ministri i Çështjeve Fetare të Bruneit, ku rreth 65% e popullatës është e besimit mysliman, ka shpjeguar që ndalimi për të festuar Krishtlindjen është një mënyrë “për të ruajtur besimin e fesë myslimane”.

Shpesh, gjatë festimeve të Krishtlindjes, fëmijët apo edhe të rriturit myslimanë mbajnë veshur kapele të Babagjyshit të Krishtlindjes dhe në njoftimin e shpërndarë në janar, lexohet që “duhet të kenë kujdes, sepse këto festime nuk janë të lidhura me Islamin dhe mund të dëmtojnë fenë e tyre”.