Tik-taket e plleshmërisë bien edhe për meshkujt

Plleshmëria e meshkujve fillon të bie rreth viteve të dyzetave të jetës së tyre dhe shumë më shpejt bie tek ata që pinë duhan, drogohen apo kanë peshë të shtuar të trupit.

Me hulumtimet e kryera pak kohë më parë është vërtetuar se, vetëm dy për qind e australianëve, mendojnë se vjetët janë të rëndësishme për plleshmëri. Mirëpo, mosha dhe stili i jetës ndikojnë në kualitetin e spermës dhe në gjasat për t’u bërë prind, ka dëshmuar studimi.

Anne Clark nga shoqata australiane për plleshmëri thotë që plleshmëria e meshkujve zakonisht është vërtetuar sipas numrit të spermatozoideve, mirëpo doktorët kanë ardhur në përfundim se, faktor i rëndësishëm është edhe dëmtimi i spermës së ADN-së, transmeton Telegrafi.

Nëse 20 për qind e spermës është “e fragmentuar” gjasat për tu bërë prind janë dukshëm më të vogla.

Me dëmtimin e ADN-së janë të lidhura mënyrat e jetesës siç janë konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit dhe pesha e madhe trupore.

Sipas Clark, ndryshimi i stilit të jetës mund të rris kualitetin e spermës dhe gjasat për t’u bërë prind, mirëpo më e mira do të ishte që të mos shtyhet vendimi për t’u bërë prind.

“Më së miri do të ishte që çiftet të analizojnë mundësinë e fillimit të familjes sa më herët, atëherë kur plleshmërinë e kanë në nivel optimal”, ka thënë Clark.