Të flasësh me vete: diçka normale apo tregues i një sëmundjeje?

Shumë herë njerëzve, edhe në moshë të rritur, u ndodh që të konstatojnë se po flasin me vete me mendjen e tyre, por edhe me zë të lartë. Disa njerëz e bëjnë rregullisht, madje e gjykojnë si të dobishme këtë gjë. Por shpesh mund ta kemi pyetur veten: a është normale të flasësh me vete? Është diçka e mirë apo e keqe? Sipas psikoterapeutes Virigina Beach, është shumë normale të flasësh me veten si dhe diçka e zakontë. Nuk është një tipar që domosdoshmërisht e lëmë pas me rritjen tonë, apo një shenjë e një sëmundjeve mendore, është më e zakontë se sa mund ta imagjinojmë.

“E vërteta është se të gjithë flasim me veten. Mund të na duket e çuditshme ta bëjmë atë në publik, por të gjithë krijojmë biseda të ndërlikuara të niveleve të ndryshme si një mënyrë për t’i dhënë kuptim dhe shpjeguar vetes gjerat që na ndodhin gjatë ditës”, shprehet Vironika Tugaleva, autore e “The art of talking to yourself’’.

 

 

Për shembull, të gjithëve na ndodh në përditshmëri që të përmendim me zë të lartë objektet thelbësore të ditës: çelësat, palltoja, çanta, dreka ose të kontrollojmë listën e gjërave që kemi bërë. Jo vetëm që është normale, por është thelbësore dhe të qenit të vetëdijshëm për cilësinë e këtij ligjërimi të brendshëm është një rrugë drejt lumturisë dhe vetëpërmbushjes.

 folurit me vete sjell përfitime

Rituali i të folurit me vete mund të jetë i shëndetshëm dhe i dobishëm sipas autores Sheri McGregor e cila e ka studiuar këtë fenomen tek fëmijët. Ajo u sugjeron pacientëve dhe lexuesve të saj se ky fenomen mund të jetë një mënyrë për të përmirësuar veten. Është një mënyrë për të qetësuar veten dhe për t’u përqendruar në gjërat pozitive në vend të atyre shqetësuese dhe stresuese. Shpesh na ndodh të flasim me veten kur kemi ankth apo kur jemi para një provimi a prezantimi dhe mund ta bëjmë më produktive këtë metodë duke përdorur distancimin, pra duke iu drejtuar vetes në vetën e dytë ose të tretë.

Të folurit me vete mund të jetë i dëmshëm?

Të folurit me veten mund të shoqërohet shpesh me disa çrregullim mendore, por ato nuk janë arsyeja ose shkaku i të folurit me vete. Sidoqoftë, ekzistojnë disa situata kur të folurit me vete mund të jetë një tregues i një problemi psikologjik. Kur biseda shoqërohet me lëndime të vetes si për shembull duke goditur apo prerë veten, atëherë kjo është shenjë e një problemi emocional. Gjithashtu, nëse përfshiheni në të folur me vete që ka të bëjë me fraza përsëritëse, mantra ose numra, ky lloj i të biseduarit me veten është i vështirë për t’u ndalur dhe duhet një konsultë me mjekun.