Superbakteret rezistuese përhapen në spitale për shkak të antibiotikëve

Superbakteri rezistues ndaj të gjithë antibiotikëve të njohur po përhapet në spitale në mbarë botën, paralajmërojnë shkencëtarët australianë.

Shkencëtarët nga Universiteti i Melburnit kanë zbuluar tri lloje të baktereve rezistente në mostra nga dhjetë shtete, përfshirë llojet në Evropë që janë rezistuese ndaj të gjitha ilaçeve aktualisht në dispozicion në treg.

“Kemi filluar në Australi, por kemi zgjeruar hulumtimin tonë dhe e kemi zbuluar në shumë vende dhe në shumë institucione anembanë botës”, thotë Joseph Howden, kreu i Laboratorit Mikrobiologjik të Universitetit.

Një bakter i njohur si Staphylococcus epidermidis është i lidhur me një MRSA më të njohur dhe më vdekjeprurëse.

Ai mund të gjendet në mënyrë natyrale në lëkurën e njeriut, ndërsa më së shpesh infektohen personat e moshuar ose pacientët me implante protetike si katetera.

“Kjo mund të jetë vdekjeprurëse, por zakonisht në pacientët të cilët janë tashmë të sëmurë rëndë ose janë në trajtim spitalor. Është e vështirë të mundësh dhe infeksionet mund të jenë të rënda”, thotë Howden.

Ekspertët besojnë se superbakteret po përhapen me shpejtësi për shkak të përdorimit të tepërt të antibiotikëve në departamentet e kujdesit intensiv.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se përdorimi i tepruar i antibiotikëve nxit zhvillimin e baktereve rezistuese.

Howden tha se studimi i tij, i botuar në revistën Nature Microbiology, tregoi nevojën për një kuptim më të mirë se si përhapet infeksioni dhe cilat baktere duhet të “synojnë” spitalin.

“Për sa i përket të gjitha baktereve në spitale, nuk ka dyshim se rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga rreziqet më të mëdha në trajtimin e spitaleve në mbarë botën”, theksoi ai.