Sot punon vetëm klinika emergjente, Selmani tregon pasojat nëse s’reflekton Qeveria

Kryetari i Sindikatës, Xhemajl Selmani, ka treguar se sot po punon vetëm Klinika emergjente.

Ata thonë se kërkesën më të rëndësishme e kanë atë për paga.

Në një lidhje direkte për KTV-së, Selmani tha se presin që qeveria të reflektojë.

“Nëse nuk reflektojnë qeveritarët, atëherë ne do të manifestojmë me forma tjera. Ndodh që do t’i thellojmë grevat, të protestojmë para Qeverisë, e zoti mos e bëftë, të bojkotojmë edhe punën”, tha ai,

Ai tha se të enjten, do të mbahet Këshilli Drejtues i Sindikatës, ku aty do të merren vendimet për veprimet e mëtejshme.

Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë masa më radikale nëse s’u përmbushen kërkesat

Punëtorët shëndetësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot kanë hyrë në grevë 24 orëshe, të cilët po kërkojnë ngritjen e pagave për mjekët dhe punëtorët teknik të këtij sektori.

Përveç kësaj, punëtorët shëndetësor po kërkojnë edhe respektimin e kontratës kolektive sektoriale. në grevë sot ka hyrë vetëm QKUK-ja, por në rast të mos përmbushjes së kërkesave të tyre punëtorët shëndetësor paralajmërojnë se mund të ketë masa edhe më radikale sindikaliste.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Xhemajl Selmani, ka thënë për KosovaPress se greva ka ardhur për shkak të vonesës së ligjit mbi paga dhe garantimin e rritjes së pagave në sektorin shëndetësor.

“Greva 24 orëshe është grevë sinjalizuese për qeveritarët tanë. Arsyet janë të shumta, sidomos procesi i zvarritjes që 1 vit për ligjin mbi pagat dhe aktualisht e kemi kuptuar se nuk është as kurrkund në fazë të miratimit, si dhe respektimi i kontratës kolektive sektoriale të nënshkruar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Këto janë dy kërkesat bazike të cilat duhet të reflektoj Qeveria, përndryshe kjo është vetëm paralajmërim për masa edhe më radikale sindikaliste”, tha ai.

Në rast të mos përmbushjes së kërkesave të tyre, Selmani u shpreh se do të marrin masa më radikale.

Ndërkohë që thotë se tashmë 1 vit kanë dialoguar me ministrin e Shëndetësisë, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe të gjitha partitë politike. megjithatë, sipas tij kërkesat e tyre janë neglizhuar.

Për masat që do t’i ndërmarrin më tutje, FSShK do të mbajë me 20 dhjetor mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku do të vendoset edhe nëse në grevë do të hyjnë edhe qendrat spitalore tjera.

“Në Këshillin Drejtues të FSShK-së aty do të marrim vendime të mëtejme, kam frikë që sipas kërkesave të bazës sonë mund të shkojmë edhe në masa radikale sindikaliste”, u shpreh ai.

Në grevë ka hyrë edhe Klinika Emergjente në QKUK, megjithatë shërbime shëndetësore po ofrohen vetëm për rastet kur ka rrezik për jetë.

Drejtori i kësaj Klinike, Basri Lenjani, ka thënë se do të pranojnë vetëm rastet emergjente. Ai ka bërë të ditur se si staf i Klinikës Emergjente mbështesin kërkesat e profesionistëve shëndetësor.

“Duke u bazuar në ligjin për kujdesin emergjent të Kosovës Klinika Emergjente është detyruar të ofrojë kujdes mjekësor për të gjithë ata të sëmurët të cilët e kanë jetën në rrezik. Klinika Emergjente si çdo herë ka qenë mbështetëse për t’i plotësuar kërkesat e profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Përkundër kësaj ne si Klinikë Emergjente në detyrimet dhe obligimet që dalin nga ligji jemi të detyruar që brenda 24 orëve 7 ditë, t’i ofrojmë kujdes emergjent mjekësor. Nuk do të pranohen rastet e ftohta të cilat mund të trajtohen në qendrat e Mjekësisë parësore, në spitalet regjionale”, tha ai.

Lenjani shprehet se është koha e fundit kur institucionet kosovare duhet t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre dhe të rregullojnë dinjitetin e personelit mjekësor.

Qytetarë të shumtë në Klinikat tjera të QKUK-së nuk kanë mundur të marrin shërbime shëndetësore, disa prej tyre nuk kanë pranuar të flasin para kamerës por janë shprehur se mbështetin grevën e punëtorëve shëndetësor. Megjithatë, ka pasur edhe të tillë që kanë kundërshtuar grevën e tyre.

Greva e punëtorëve shëndetësor në QKUK ka filluar në orën 7 të mëngjesit.