Shkencëtarët e eliminojnë tërësisht HIV-in nga minjtë

Disa shkencëtarë kanë arritur që për herë të parë ta eliminojnë virusin HIV nga i tërë materiali gjenetik i minjve, të cilët janë përdorur për hulumtime lidhur me këtë sëmundje. Ata e kanë arritur një gjë të tillë përmes një ilaçi që vepron ngadalë dhe përmes modifikimit të gjeneve.

 Hulumtuesit besojnë se kjo teknikë me dy mënyra mund të shërbejë si themel për shërimin e parë të një njeriu të infektuar me këtë virus. Pritet që testimi i kësaj metode në njerëz të fillojë verën e vitit të ardhshëm.

Vetëm dy njerëz deri tash janë shëruar nga virusi vdekjeprurës. Të dy vuanin nga kanceri i gjakut dhe iu nënshtruan një transplanti të rrezikshëm të palcës së eshtrave. Pas këtyre ndërhyrjeve, ata u shëruan nga kanceri i gjakut dhe HIV-i.

Sidoqoftë, teknika e transplantit nuk ka sjellë rezultate te ndonjë person tjetër, madje disa raste kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Për të qenë e suksesshme, pacienti duhet të vuajë nga leukemia dhe të jetë i infektuar me HIV.

Tani, një ekip i udhëhequr nga një ekspert i HIV-it nga Nebraska dhe një ekspert i modifikimit të gjeneve nga Filadelfia, i ka paraqitur rezultatet e punës në një projekt pesëvjeçar. Ata e kanë përdorur një ilaç që reagon ngadalë, të quajtur “Laser Art”, i cili e izolon virusin, ndërsa më pas e kanë përdorur modifikimin e gjeneve “CRISPR Cas9”, i cili e sulmon virusin.

Shkencëtarët zbuluan se me këtë metodë u eliminua në mënyrë të suksesshme virusi HIV nga një e treat e minjve që ishin duke u testuar në laboratorin e tyre.

“Nuk mund të besonim. Menduam se sistemi ynë ishte duke gabuar. Filluam të besojmë në këtë rezultat vetëm pasi e përsëritëm të njëjtën gjë disa herë”, tha Dr.Howard Gendelman, drejtor i Qendrës për Sëmundje Neurodegjenerative në Universitetin e Nebraskas.

Dr.Gendelman dhe kolegët e tij treguan se kjo teknikë mund të përdoret si ilaç lehtësues për njerëzit e infektuar me virusin HIV. Njerëzit duhet ta përdorin atë vetëm një herë në vit, sepse ai zbërthehet ngadalë dhe në këtë mënyrë do të kishte më pak efekte anësore.

Sidoqoftë, problemi kryesor është se virusi HIV shumohet shumë shpejt dhe modifikimi i gjeneve i këtij lloji e ka të vështirë ta luftojë atë në këtë shpejtësi të përhapjes.

Dr.Paul Freemont, drejtor i Qendrës për Biologji Sintetike dhe Inovacion në Kolegjin e Londrës tha: “Ky është një studim tërheqës që dëshmon se mund të jetë i mundur përdorimi i elementeve kimike dhe terapisë së modifikimit të gjeneve si të kombinuara për ta eliminuar përgjithmonë virusin HIV nga qelizat e infektuara.