Rreziqet që sjellin qentë e pavaksionuar

Sëmundjet infektive të qenve endacakë dhe të pavaksinuar që mund të transmetohen te njeriu janë shumë të rrezikshme, sepse shpesh mund të shkaktojnë dhe vdekjen.

Njëra nga këto sëmundje është dhe tërbimi. Kjo sëmundje, sipas specialistëve, është shumë e pranishme në vendet e Evropës dhe kur prek qenin i dëmton atij sistemin nervor qendror. Nëse infektohet me këtë sëmundje, qeni bëhet agresiv dhe paraqet sindromën klasike të “qenit të çmendur”. Në disa qen vërehet një ulërimë e pakuptueshme

Tërbimi është sëmundje vdekjeprurëse, të cilën e bartin qentë e infektuar (54%), macet, shpezët dhe lakuriqët. Sëmundja më së shpeshti bartet me anë të kafshimit të kafshës së infektuar, edhe pse në disa raste bartja e virusit është e mundur edhe vetëm me prekjen e pështymës së infektuar, e cila është infektuese dhjetë ditë para se të fillojnë simptomat e sëmundjes.

Njerëzit, të cilët kafshohen nga kafshët që kanë shenja tërbimi nuk duhet të humbasin asnjë minutë, por të paraqiten menjëherë te autoritetet shëndetësore sepse çdo neglizhencë mund të jetë vdekjeprurës. Rrezikshmëria është më e madhe, sidomos kur kafshimi kryhet në kokë ose në qafë.

Sëmundje të tjera infektive dhe në të njëjtën kohë fatale për qentë dhe për njerëzit janë: lia e qenve, rrufa, hepatiti infektiv (CAV-1), me këtë virus preken të gjithë qentë e pavaksinuar, parvoviroza e qenit (CPV-2), një nga viruset më të rrezikshme sepse përhapet në ajër, leptospiroza ose “sëmundja e miut”, kjo sëmundje prek dhe kafshë të tjera dhe është po ashtu ngjitëse, gastroenteriti koronaviral i qenit (CCV), kjo sëmundje është masivisht e përhapur në çdo vend të botës, infeksioni herpesviral dhe trakeobronkiti i qenve.

Këto dy sëmundje përhapen shpejt, menjëherë mbas kontaktit të afërt me qentë. Qentë janë mbartës edhe të sëmundjes së ekinokokut, varicelës, zgjebes, alergjisë, tokoplamozës e lloje të tjera sëmundjesh, që mund të shkaktojnë edhe viktima nga kafshimi i tyre.

Mjekët veterinerë thonë se mënyrat e transmetimit të sëmundjes nga qeni tek njeriu janë disa. Këtu përfshihet transmetimi nëpërmjet kafshimit nga kafsha e infektuar kur virusi gjendet në sekrecionet e pështymës. Virusi mund të transmetohet edhe nëpërmjet ajrit kur sëmundja është me rrufë ose me kollë, transmetimi ndodh edhe kur prek qenin me lëkurë të infektuar ose nëpërmjet pështymës së qenve.