Prishet ashensori në Ortopedi, pacientët e kanë të vështirë të ngjiten në kat të katërt

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Ortopedisë, pacientët për të shkuar në katin e dytë apo të tretë, duhet të përdorin shkallët pasi që ashensori nuk punon.

Ndonëse nga zyra për informim në QKUK thonë se ashensori është duke punuar, 2 nga ta nuk ishin në funksion, raporton KTV.

Pacientët, të cilët duhet të shfrytëzojnë këtë objekt, thonë se është shumë e vështirë, meqë ortopedinë e vizitojnë ata që kanë probleme me eshtrat.

Nga zyra për informim e QKUK-së vazhdojnë të thonë se të gjithë ashensorët në këtë repart janë në funksion.

“Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ju njofton se sa i përket ashensorëve në Klinikën e Ortopedisë, sipas informatave të marra nga sektori i Shërbimeve Teknike, të gjithë ashensorët janë në funksion, si në Klinikën e Ortopedisë së vjetër, po ashtu edhe në Klinikën e Ortopedisë së Re”, ka thënë Mirlinda Qyqalla.

Përveç repartit të Ortopedisë, në këtë objekt janë edhe reparte të tjera si ai i Kirurgjisë plastike, e Neurologjisë.